Mbi 57 milionë euro të shpenzuara këtë vit për pensionet e veteranëve të UÇK-së
Listat e gjata të emrave të cilët përfitojnë pensione nga buxheti i shtetit të Kosovës në emër të kontributit të tyre në luftën e fundit në Kosovë, ka bërë që edhe shuma e ndarë për vitin 2018 nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për veteranët, të shpenzohet gati në tërësi vetëm në nëntë muajt e parë, shkruan Lajmi.net.
Në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është bërë e ditur që buxheti i lejuar për pensionet e veteranëve për vitin 2018 ishte 58 milonë e 780 mijë euro.
E nga kjo shumë e përgjithshme, rreth 95 përqind deri më tani është shpenzuar.
MPMS po ashtu ka bërë të ditur se shuma e shpenzuar e mjeteve për periudhën janar-shtator është 57 milionë e 159 mijë e 939 euro e 50 cent.
Kujtojmë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave për mashtrim me listat e veteranëve.
Aktakuza është ngritur ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe emrat e rreth 20 mijë veteranëve që prokuroria ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm.
Ditëve të fundit, lajmi.net ka publikuar pjesë të kësaj aktakuze si dhe emrat e të gjithë veteranëve që prokuroria i ka cilësuar si mashtrues.