Sulm gjatë një parade ushtarake në Iran

Të paktën tre persona janë vrarë dhe 20 janë plagosur gjatë një sulmi që ndodhi teksa po zhvillohej një paradë ushtarake në Iran.

Media shtetërore tha se sulmuesi ka hapur zjarr në ngjarjen që po mbahej në qytetin jugperëndimor Ahvaz.

Televizioni shtetëror raportoi se sulmuesi ka shtënë në drejtim të vendit ku po qëndronin zyrtarët iranianë, të cilët po merrnin pjesë në ngjarjen për të shënuar fillimin e luftës mes Iranit dhe Irakut, të viteve 1980-88.

Ka pasur raporte kontradiktore sa i përket numrit të të vrarëve në këtë sulm.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA tha se tre persona janë vrarë, përfshirë dy sulmues. Ndërkaq, agjencia tjetër, Tasnim tha se të paktën tetë zyrtarë të Gardës Revolucionare janë vrarë.

IRNA raporton se dy sulmues të dyshuar janë arrestuar.

Raportimet e mediave i kanë përshkruar sulmuesit si “sulmues Takfiri”, një term i përdorur në të kaluarën për militantët sunitë myslimanë.

Ndërkaq, agjencia Fars tha se dy sulmues me motoçikleta kanë kryer sulmi.

Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Ahvaz, është kryeqytet i provincës Khuzestan, që është e pasur me naftë. Në këtë provincë në të kaluarën separatistët arabë kanë kryer sulme në tubacionet e naftës.

Agjencia ISNA tha se një zëdhënës i paidentifikuar i Gardës Revolucionare ka fajësuar nacionalistët arabë, që mbështeten nga Arabia Saudite, për këtë sulm.

Tensionet në mes të Iranit dhe Arabisë Saudite janë rritur viteve të fundit, ku dy shtetet kanë mbështetur palë të kundërta në luftërat në Siri dhe Jemen dhe parti rivale në Irak dhe Liban.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button