Kufiri irlandez mund të çojë në Brexit pa marrëveshje

Ministri i kabinetit në Qeverinë britanike, Chris Grayling, tha se nuk do të ketë marrëveshje me Bashkimin Evropian për Brexit-in, nëse BE-ja nuk e zbut qëndrimin e saj për kufirin irlandez.

Me Brexit nënkuptohet procesi i daljes së Britanisë nga BE-ja, i cili duhet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm.

Grayling tha se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tërhiqet nga Plani i Kontrollorëve, edhe pse udhëheqësit e BE-së e refuzuan atë në samitin e tyre në Salcburg.

Kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se një pjesë e rëndësishme e planit “nuk do të funksionojë”, por kryeministrja britanike, Theresa May, këmbënguli se ai është mënyra e vetme e besueshme për të shmangur një kufi të rreptë irlandez.

Grayling tha për BBC-në se pritet “gjuhë më e ashpër” dhe shtoi se është ende i bindur se marrëveshja mund të arrihet.

Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga BE-ja më 29 mars, 2019.

Të dyja palët po bëjnë përpjekje të arrijnë një marrëveshje me kohë dhe duan të shmangin kufirin e rreptë – do të thotë, çdo infrastrukturë fizike si kamera apo roje – midis Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe Republikës Irlandeze, anëtare të BE-së, por ato nuk mund të pajtohen për mënyrën.

BE-ja ka dalë me një propozim, i cili parasheh që Irlanda e Veriut të mbetet e lidhur me BE-në në fusha kyçe, të mbetet në bashkimin doganor dhe tregun e vetëm dhe të mos ketë nevojë për kontrolle kufitare. Por, Londra thotë se kjo është e papranueshme, sepse do ta shkëpusë Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button