Në Shkup shënohet Dita e Ashures: Dita e unitetit, dashurisë dhe paqes

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e Muajit Muharrem, muaji i parë i vitit hënor musliman, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit është shpërndarë Ashure, raporton Anadolu Agency (AA).

Dita e Ashures tashmë 14 vite organizohet tradicionalisht në bashkëpunim me organizatën humanitare “El Hilal” dhe shoqatën “Ensar” nga Shkupi, në mbështetje të Komunës së Bursës në Turqi dhe Komunës së Çairit.

Në këtë ngjarje, ndër shumë qytetarë të pranishëm ishin edhe këshilltari për çështjet fetare në Ambasadën turke në Shkup, Murat Alkan, këshilltarja për kulturë dhe promovim në Ambasadën turke, Çığdem Gülü, kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, Zeir Bekteshi, kryetari i Shoqatës “El Hilal”, Behixhudin Shehabi, drejtori i Fondacionit Maarif në Maqedoni, Mustafa Dillioğlu, si dhe përfaqësues të kompanisë turke Turkish Airlines.

Bekteshi në fjalën e tij para të pranishmëve përcolli mesazhin e kreut të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, duke theksuar se mbështetja për këtë manifestim për ato paraqet kënaqësi të madhe.

“Do të doja të them se jemi shumë të lumtur që për të 14-tën herë organizojmë këtë ceremoni tradicionale të ashures në kuadër të Komunës së Çairit”, tha Bekteshi.

Ndërsa Shehabi bëri të ditur se kanë përgatitur 11 kazane të Ashures, duke shtuar se, “Jam krenar që në emër të shoqatës ‘El Hilal’ dhe në emër të Komunës së Çairit për të 14-tën herë, pa ndërprerë, ju përshëndes nga ky vend i rëndësishëm. Të gjithë përfaqësuesit humanitar të ‘El Hilal-it’, ‘Ensar-it’ dhe të punësuarit në Komunën e Çairit, kur filluan këtë manifestim deshëm t’i ruajmë vlerat tona historike dhe qytetërimin tonë”, tha Shehabi.

Me rastin e Ditës së Ashurës u adresua edhe këshilltari për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë në vend, Murat Alkan, i cili u përqëndrua në rëndësinë e agjërimit gjatë këtij muaji të rëndësishëm.

“Profeti ynë Muhamed ka një hadith për agjërimin gjatë këtij muaji. Në hadithin thuhet se nëse agjërohet gjatë këtij muaji, do të shlyhen të gjitha mëkatët e vitit të kaluar”, theksoi Alkan.

Në manifestimin u lexua edhe porosia e kryebashkiakut të komunës, Alinur Aktaş, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit në manifestimin.

Pas fjalimeve, qytetarëve të pranishëm iu shpërnda ashure.

Po ashtu edhe në Shqipëri është shënuar Dita e Ashures, ku në qytete të ndryshme të vendit janë organizuar ceremoni kushtuar kësaj dite.

Ndryshe fjala “ashure” e ka origjinën nga gjuha arabe dhe vjen nga fjala “ashr”, që në gjuhën arabe nënkupton “dhjetë”. Dita e Ashurës është dita e dhjetë e muajit Muharrem.

Muaji Muharrem është muaji i parë i vitit të ri hënor dhe një nga muajt e shenjtë për besimtarët muslimanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button