Statusi i mjerë i shkollës shqipe në Veles

Të paktë janë ata që e njohin shtrirjen e shqiptarëve në vendbanimet rurale të Velesit, Prilepit, Krushevës…, ku shkolla shqipe ka qenë dhe ka mbetur më e nëpërkëmbur se në viset tjera. Në shumë fshatra shqiptare shkollat janë hapur pas rrënimit të sistemit monist, por ka akoma mese ku nxënësit shqiptarë diskriminohen në mënyrën më të ultë të mundshme, duke u detyruar që të ndjekin procesin mësimor në gjuhën maqedonase.

Se në çfarë shkalle është diskriminimi në fjalë kuptohet që nga mbiemrat e shqiptarëve që akoma sot përfundojnë me prapashtesën sllave “ski”: Bakioski, Dautovski, Asanovski… Tamam si para 100 e ca vitesh – në kohën e serbit e bullgarit, kur të gjithë mbiemrat tanë përfundonin me “ski” ose me “ov”.

Për ilustrimin e statusit të mjerë të shkollës dhe gjuhës shqipe në Veles, po ju rrëfej një ngjarje të vërtetë, dëshmitar i së cilës isha vetë:

Në mos gabohem, ishte viti 2005, kur si këshilltar pedagogjik i lëndës Gjuhë dhe letërsi shqipe më ftuan të jem pjesë e një ekipi më të gjerë, në mesin e të cilit ishin dhe 3 këshilltarë pedagogjikë të Gjuhës dhe letërsisë maqedonase (një nga Shkupi dhe dy nga Velesi) dhe një koleg i Gjuhës dhe letërsisë turke (nga Tetova). Si profesionistë të lëndëve që mbulonim ne duhej të shkojmë në shkollën fillore “Draga Stojanova” të fshatit Mallçisht të Velesit, për të ndjekur nga një orë të rëndomtë mësimore, por kësaj here nuk ishte ashtu. Detyra e parëndomtë, të cilën e kuptova nga kolegët që na u bashkangjitën në Veles, ishte verifikimi i përkatësisë etnike të nxënësve të klasës së parë të fillores, prindërit e të cilëve kishin kërkuar për herë të parë që të mësojnë në gjuhën shqipe. Kjo kishte vënë në siklet një kastë albanofobësh nga Velesi dhe jo vetëm, e cila e gjendur përpara vendosmërisë së prindërve, përpiqej që, nëse nuk ia del t’i bindë mallçishtasit që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase, atëherë të pranojnë ta bëjnë këtë në gjuhën turke. Për ta ishte me rëndësi që nxënësit shqiptarë vetëm shqip të mos mësonin.

Në Mallçisht na priti drejtoresha që ishte nga Velesi. Ajo ndihej puro shqiptare, sado që nuk e fliste shqipen shkaku i asimilimit nëpërjet shkollimit që kishte kryer… Prej saj e kuptova se është dëshirë e prindërve që fëmijët e tyre të shkollohen gjithsesi në gjuhën amtare shqipe. Të njëjtën gjë ma thanë edhe 7-8 prindër me fytyra të brengosura që prisnin në korridor, mu përpara derës së klasës së parë ku, me gjasë, u futëm secili me misionin e vet…

Hyra i fundit në klasë, duke u thënë prindërve shkurt që të mos mërziten, sepse unë jam aty për të kryer me nder detyrën time, për të mos lejuar, me aq sa kam mundësi, atë që kanë planifikuar “dashamirët” e arsimit shqip. Dhe kështu bëra: prita fillimisht që të zënë vend në fund të mësonjëtores katër kolegët e mi (dua të besoj se ata nuk ishin pjesë e  skenarit për pengimit e shkollimit të  fëmijëve shqiptarë në gjuhën shqipe), kurse unë mora rolin e mësuesit dhe nisa një bisedë me nxënësit e hutuar nga prezenca jonë. I pyeta disa prej tyre si quheshin? A vijnë me qejf në shkollë? Çfarë gjuhe flasin në shtëpi? Në ç’gjuhë dëshirojnë të mësojnë? A dinë të flasin maqedonisht? A dinë të flasin turqisht? Si e kalojnë kohën kur kthehen në shtëpi? Çfarë lojërash luajnë me shokët/ shoqet e tyre e të ngjashme me këto.

Natyrisht: nxënësit u përgjigjën shqip, thanë se duan të mësojnë shqip, se në shtepi flasin shqip, se nuk dinë maqedonisht e turqisht…

Pas kësaj, me ironi të papërmbajtshme, u  thashë kolegëve të mi të befasuar për gjestin e bërë kokë më vete dhe pa lejen e mësueses së nxënësve, që duhej të improvizojë para nesh një orë mësimore në gjuhën biblike maqedonase: Të respektuar kolegë! Mendoj se nuk ka nevojë të mundohemi më shumë, sepse, siç e shihni, këta nxënës janë shqiptarë dhe nuk njohin tjetër gjuhë pos shqipes…

Nuk e kam idenë si e përjetuan këtë kolegët e mi, po për të folur nuk foli kush, sepse e vërteta ishte e kristaltë si loti. Ata e pranuan me korrektësi edhe raportin që përgatita të nesërmen, me të cilin e bëra të pakundërshtueshme të drejtën e Zotit që fëmijët e Mallçishtit të ndjekin mësimin në Gjuhën e bukur shqipe, në gjuhën e nënës.

Sinqerisht: me rrëfimin e kësaj ngjarjeje nuk kam për qëllim ta bëj veten hero, sepse s’kam qenë kurrë i tillë, sepse këtë do ta bënte çdo njeri me dinjitet, po desha vetëm të them se problemi me të cilin ballafaqohen fëmijët shpirtvirgjër të Banjicës së Velesit (për të cilin shkruajta në Portalb javën e shkuar) dhe të ndonjë vendbanimi tjetër ku shqiptarët trajtohen akoma si aborigjenë, është lehtësisht i zgjithshëm. Mjafton, të të jepet mundësia të bësh atë për të cilën je i thirrur dhe për të cilën paguhesh. Natyrisht: nëse, siç thonë pleqtë e Sellcës sime: ke dhe një lodër (tupan) në bark.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button