Papa Françesku paralajmëron për “rikthimin e urrejtjes ndaj të huajve”

Lideri i Kishës Katolike, Papa Françesku, gjatë një fjalimi ka theksuar se është rikthyer ndjenja e urrejtjes ndaj njerëzve për shkak të identitetit të tyre etnik, kombëtar apo fetar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në një konferencë ndërkombëtare me temë “Ksenofobia, racizmi dhe nacionalizmi populist në kontekstin e migrimit global”, Papa ka paralajmëruar se janë ringjallur sërish disa mendime, të tilla si racizmi, “të cilat mendohet se i përkasin së shkuarës”.

“Jetojmë në një kohë ku janë rikthyer sërish ndjenjat të cilat shumë persona mendojnë se kanë kaluar. Këto ndjenja janë dyshimi, frika, përbuzja, madje edhe urrejtja ndaj individëve ose grupeve për shkak të identitetit të tyre etnik, kombëtar ose fetar të cilat nuk duhet të konsiderohen të denja për pjesëmarrje të plotë në jetën e komunitetit. Këto ndjenja, shumë herë ngjallin sjellje siç janë intoleranca, diskriminimi ose përjashtimi, si dhe dëmtojnë seriozisht të drejtat themelore, duke përfshirë integritetin fizik dhe shpirtëror”, është shprehur Papa Françesku.

Duke treguar se kjo situatë përjetohet edhe në politikë, Papa tha se politikanët shfrytëzojnë frikën kundrejt disa grupeve.

Papa ka bërë të ditur se ata që kanë përfitime ekonomike nga situata “dyshuese” kundrejt të huajve, nxisin mekanizmin e pasigurisë dhe abuzimit dhe ka shtuar se kjo në disa raste vjen në nivelet që mund të “përbëjë një skllavëri të vërtetë”.

Gjithashtu Papa ka theksuar se këta njerëz do të duhet të japin llogari për një ditë dhe ka bërë thirrje që të rishikojnë ndërgjegjen e tyre.

“Të gjithë duhet të inkurajojnë respektin për dinjitetin njerëzor”, ka nënvizuar Papa Françesku, duke u shprehur se në çështjen e respektimit reciprok për dallimet, punonjësit në botën e komunikimit kanë një përgjegjësi të veçantë që të sigurojnë dhe përhapin informacionin e drejtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button