Xhevë e Fehmi Lladrovci përjetësohen në bronz në 20 vjetorin e rënies

Në 20 vjetorin e rënies, sot në Drenas janë zbuluar shtatoret e dëshmorëve të kombit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci.

Presidenti I vendit Hashim Thaçi, nën patronatin e të cilit u mbajt ky manifestim përkujtimor, tha se sot është një dit e veçantë për kombin shqiptar.

“Sot në këtë vend, na ka bashkuar lufta, përpjekjet  e Xhevës dhe Fehmi Lladrovcit. Unë nuk mundem me shtu më tepër se ato që u thanë, mund të them se ata te dy ishin dhe do të mbeten përjetë si emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por ajo që mund të them se fryma dhe angazhimi i tyre janë mesazhet unifikuse për Ushtrinë është i pakrahasueshëm”, tha presidenti Thaçi.

Ai tutje deklaroi se rënia heroike e dëshmorëve të kombit Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci ishe mesazhi me i qartë se lufta do të vazhdojë deri në lirimin  e plotë të Kosovës.

“Dua të ndaj medalje presidenciale në rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pas vdekjes së Avdyl Krasniqit dhe Bacit Tush, për nder të kontributit të dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të shtatores së dëshmorëve të kombit Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, tha se mesazhi që kanë lënë ata pas është që të punojmë bashkë se bashku, për t`i rritur fëmijët tanë në frymën atdhetare

“T`i themi faleminderit Fehmi dhe Xhevë Lladrovci që na bashkuan këtu për t`i uruar rikthimin në bronz në Drenas, Drenicë e në Kosovë. Se ata janë nder i gjithë kombit shqiptar, i sakrifikimit më sublim në emër të lirisë të cilët sollën Kosovën e lirë. Padyshim që Kosova ka mjaft sfida që ne besojmë që do t`i kaloj me sukses që nga liberalizimi i vizave në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO. Amaneti i tyre duhet të qohet përpara, të gjithë kemi një rrugë përpara për t`i dhënë vendit tonë më shumë liri, begati dhe rini”, deklaroi presidenti Meta.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se dëshmorët e kombit Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci nuk kanë vdekur, por janë përjetësuar.

“As sot ata nuk kanë vdekur, janë të përjetësuar, ata dy nuk kanë lënë fëmijë, por për fëmijët e Kosovës kanë lënë lirin. Kosova është krijesë e shenjtë për ne, sovrane unike. Do të punojmë çdo ditë për ta për ta zhvilluar. Me zhvillim ekonomik ku do të krijojmë perspektivë këtu”, tha Veseli.

I pranishëm në këtë manifestim ishte ish kryeministri i Shqipërisë he ministri aktual Pandeli Majko.

“Jam i nderuar që sot nën hijen e një familje të lidhur me UÇK me qëllimin më të vjetër të qytetarëve atë të lirisë, këta dy busta nuk i takojnë vetëm Kosovës por të gjithë shqiptarisë “, tha Majko.

Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij tha se rënia e dëshmorëve të kombit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci e dëshmon më së miri rrugën e gjatë për liri të popullit shqiptarë anekënd botës.

Manifestimi u mbajt në Sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas. Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, të cilët ishin bashkëshortë, kanë rënë heroikisht gjatë luftimeve me armikun më 22 shtator të vitit 1998 në malet e Qyqavicës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button