Teatri i ri, miratohet hapja e garës

Në Shqipëri parlamenti miratoi të enjten, vetëm me votat e shumicës së majtë, ndryshimet në ligjin për Teatrin të cilat parashikojnë hapjen e një gare mes kompanive ndërtuese që duan të marrin përsipër realzimin e godinës së re dhe zhvillimin e zonës tjetër pranë saj. Opozita e cila nuk ishte e pranishme në sallë e cilësoi si një mënyre të re për grabitjen e pronës publike. Shumica thotë se gara ofron kushte të barabarta, por kompania “Fusha” është dukshëm e favorizuara e vetme.

Ndërsa socialistët, siç ndodh që pej hapjes s138 sesionit të ri, ishin të vetëm në sallën e parlamentit, jashtë, një grup artistësh protestonin kundër ligjit që parashikon shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një të reje moderne. Opozita e cila nuk shkon më në parlament, ishte mbledhur në Vlorë, nga ku i cilësoi ndryshimet e propozuara nga e majta, vetëm si një truk. “Nga salla e Kuvendit të Shqipërisë këta hajdutë të babëzitur do të votojnë përsëri të njëjtin ligj, me një zbukurim, me një falsitet që e shtyn 30 ditë aktin e konsumimit të vjedhjes. Nuk ka rëndësi nëse Fusha kësaj radhe do të quhet kodër, mal apo breg, Edi Rama është i vendosur t’i shkojë deri në fund vjedhjes, grabitjes me ligj”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha, transmeton Zëri i Amerikës.

Ndryshimi i qëndrimit të shumicës, erdhi pasi Komisioni Europian shprehu shqetësim ndaj ligjit i cili i njihte të drejtën kompanisë “Fusha” të ndërtonte Teatrin e ri në këmbim të lejes për të ngritur në zonës pas tij, në zemër të kryeqytetit, disa godina shumëkatëshe. Komisioni i inkurajonte autoritetet shqiptare “që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”.

Por gara, duket se do të mbetet e tillë vetëm në letër. Ndërsa kompania “Fusha” e ka tanimë gati projektin, shoqëritë e tjera do të duhet ta paraqesin atë brenda një afati të kufizuar kohor. Në propozimin fillestar, ishte parashikuar një afat prej vetëm 30 ditësh, ndërsa në variantin që kaloi sot në sallë, u bë 60 ditë. Për kreun e grupit socialist Taulant Balla “një afat kohor ky, tepër i mjaftueshëm për paraqitjen e një propozimi dhe një projekti konkret dhe serioz”.

Megjithatë arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels, i cili ka projektuar godinën e re të Teatrit Kombëtar, i është dashur shumë më tepër kohë, siç e ka pohuar ai vetë, në marsin e këtij viti në emisionin “Top Show”: “Ne kemi filluar në dhjetor, para një viti e gjysëm dhe kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme”

Faktin që përballë “Fushës”, kompanitë e tjera do ta kishin të vështirë, e thuajse të pamundur, e pranoi indirekt sot dhe kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese Eduard Shalsi: “Në fakt ka qenë një debat që është nisur dhe më parë dhe u gjykua se për shkak se një biznesmen kishte një pronësi, kishte marrëveshje të lidhura, do të ishte e vështirë, thuajse e pamundur për palë të tjera të interesuara, sepse në finale do të shkonin po prapë te kontratat e lidhura dhe te biznesmeni. Gjithsesi, për shkak të shqetësimit, vendosëm dhe morëm në konsideratë argumentin e shpalljes së një thirrjeje, një gare të hapur.

Ndonëse propozimi i kompanisë “Fusha”, është prezantuar si një ofertë e saj, duket se mes kompanisë dhe autoriteteve ka patur një bashkëpunim të hershëm. Projekti për Teatrin në fakt, siç e pohon vetë arkitekti, është kërkesë e kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës: “Kur zoti Rama u bë kryeministër, dhe zoti Veliaj kryetar Bashkie, në një farë pike, më thanë përse nuk kthehesh e të marrësh lapsin aty ku e le dhe të riimagjinosh dhe një herë një Teatër Kombëtar në qendër të Tiranës

Ndërsa kryeministri Edi Rama javën e shkuar në emisionin “Open” të Eni Vasilit në Top Chanel tha se kishin qenë vetë autoritetet, që ja kishin kërkuar “Fushës” ndërtimin e Teatrit në këmbim të lejes për të ngritur godina shumëkatëshe në zonën pranë tij. “Ja kemi kërkuar ne, ne ja kemi kërkuar, që nuk ndërton dot në hesapin tënd, po urdhëro, merr përsipër të kontribuosh për të ndërtuar Teatrin”, u shpreh zoti Rama.

Ndryshimet morën sot votat e nevojshme si pjesë e shqyrtimit të dekretit të presidentit Ilir Meta, dhe hyjnë automatikisht në fuqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button