Gjërat duhen qartësuar

Dëgjoj në disa vende thirrje që ne shqiptarët duheshka ta bojkotojmë referendumin për të shprehur pakënaqësinë tone për mënyrën si jemi të trajtuar në këtë shtet. Të bojkotojmë si shenjë revolte ndaj partive politike që na kanë udhëhequr me vite nga puna e të cilëve mund të mos jemi gjithaq të kënaqur. Të bojkotojmë sepse gjuha shqipe në këtë shtet ende nuk është zyrtarizuar si gjuhë zyrtare dhe sepse shqiptarët ende nuk i kanë arritur synimet e barazisë së plotë si qytetarë të këtij vendi. Prandaj thirremi të bojkotojmë dhe të shfrytëzojmë këtë moment që të kushtëzojmë përkrahjen tone për referendumin dhe pastaj edhe për ndryshimet kushtetuese me avancimin e të drejtave tona në këtë shtet.

Është shumë e padrejtë të përhapen teza të tilla dhe të mbillen dyshime të tilla mes njerëzve të thjeshtë nga ana e njerëzve që duhet të jenë intelektualë sipas profesioneve të tyre. Është e neveritshme që të shikohen pandanë të “intelektualeve” si Vankovska, Grçeva ose Siljanovska në mesin tonë. Ne si popull shpesh kemi treguar që jemi largpamës dhe kosmopolitanë, dhe jo të ngujuar në interesa që na drejtojnë drejt disa ujërave të tjera dhe jo aty ku si popull synojmë të notojmë qe sa kohë.

Të bojkotosh si shenjë revolte ndaj politikanëve tanë në këtë moment nuk ka asnjë lloj kuptimi. Këto nuk janë zgjedhje parlamentare, lokale e as presidenciale. Ky është referendum me pyetje shumë të qartë: A jeni për ose kundër anëtarësimit në NATO dhe BE me pranim të Marrëveshjes për Emrin. Ky është referendum ku përcaktohet ardhmëria jonë si qytetarë dhe jo mandati politik i partive që na kanë përfaqësuar ose na përfaqësojnë. Mund të mos pajtoheni me asnjë tezë politike të Ali Ahmetit ose politikanëve tjerë që përkrahin referendumin, por kjo nuk ka të bëjë me vetë veprimin e të votuarit në atë referendum. Prandaj mosdeëgjueshmërinë ndaj partive politike duhet ta shprehim në mënyra tjera dhe në kohë tjera, kur këto parti kërkojnë votën tone për të siguruar mandatin e ardhshëm të tyre, e jo kur duhet të marrim vendim për një çështje jetike të cilën kemi mundësinë historike për ta zgjedhur.

Kërkesat e qytetarëve të këtij shteti për barazi të plotë janë gjithmonë legjitime. Kërkesa që gjuha shqipe të jetë zyrtare, ashtu siç e parasheh Marrëveshja e Ohrit, është më se legjitime, si edhe kërkesa për shpërndarje adekuate të buxhetit në të gjitha rajonet e shtetit. Por këto gjëra nuk realizohen duke bërë pazar me integrimin në NATO ose në BE. Më thoni cila është mënyra tjetër e realizimit të këtyre kërkesave përveç se integrimi në BE dhe pranimi si standard i vlerave evropiane? Më thoni cili version është më i mundur dhe më largpamës, që të insistojmë këto gjëra ti marrim si kushtëzim për përkrahjen e referendumit që e kemi pritur me vite, t’i marrim si mëshirë apo si kockë që na e hedh shumica e shtetit duke na dhënë përkrahjen eventuale, apo ti marrim si pjesë e një procesi të demokratizimit të vendit, avancimit të të drejtave dhe të sundimit të ligjit dhe rregullimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe multikulturalizmit që quhet negociata për aderim në UE? Kush mendoni se mund të vendosë standarde më të mira për të drejtat tona, kuvendi i Maqedonisë apo Karta e Bashkimit Evropian dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut? Për t’i përfituar këto standarde duhet që tani, kur e kemi mundësinë, të vërtetojmë atë që gjithmonë e themi me plot gojë, që ne jemi për BE, ne jemi për NATO.

Nuk mund të bëhen sakrifica të tilla të kësaj ardhmërie për gjëra që edhe ashtu do i fitojmë në atë ardhmëri. Nuk mundem, thjesht refuzoj të besoj që do tregohemi kaq shkurtpamës lidhur me këto teza. Shqiptarët nuk kanë pasur asnjëherë dilema për anën të cilën duhet ta përkrahin. Nuk kanë pasur dyshimin më të vogël për të vërtetuar se janë me perëndimin. Dhe tani jam e sigurt që i dëgjojnë me vëmendje deklaratat përkrahëse të Angela Merkelit, të Federika Mogernitin, të Xhejms Matisit e të Xhorxh W. Bushit të cilët haptazi na thërrasin të votojmë pro në këtë referendum historik. Jam e sigurt që i dëgjojnë me vëmendje edhe fjalët e ambasadorit të ri rus në Maqedoni i cili tha se nuk duhet pasur ndikime nga jashtë në referendum, duke aluduar gjithmonë pikërisht tek deklaratat e personaliteteve që i përmenda më parë. Jam e sigurtë që shqiptarët e këtij vendi e kanë dëgjuar edhe Janko Baçevin, njërin ndër udhëheqësit e lëvizjes Bojkotoj, i cili qartazi e tha alternativën e tij: “Ne jemi me Rusinë, dhe mendojmë që Maqedonia në vend që të integrohet në BE duhet të integrohet në bashkimin e vendeve Euro-Aziatike. Nëse kjo nuk është alternativë, atëherë çka është?” Dhe bojkotuesit shqiptarë do i zgjedhin këto fjalë dhe këtë alternativë para fjalëve dhe alternativës së ofruar nga Stoltenberg, Mogerini e Matis?

Unë as që mundem ta paramendoj jetesën tonë në njëfarë bashkimi euro-aziatik! Kjo është gjëja më e çmendur që kam dëgjuar ndonjëherë. Prandaj nuk ja vlen që duke përmendur disa interesa kolektive etnike të shqiptarëve në Maqedoni të drejtohemi drejt Janko Baçevit dhe alternativeës së tij, duke pasur në dorë momentin që të realizojmë ëndrrën tonë evropiane. Jo, të nderuar, unë nuk do zgjedh asnjëherë alternativën e Baçevit, sepse të bojkotosh në këtë moment historik, është njësoj sikur të identifikohesh me atë personalitet dhe të kërkosh që ai t’i zgjidhë problemet ndëretnike në këtë vend, dhe të besosh që këtë do e bëjë më mirë se Stoltenberg, Mogerini, Merkel e Matis.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button