Kryetari Osmani priti futbollistin Shkodran Mustafi

Kryetari i komunës së Gostivarit Rufi Osmani, priti sot në kabinetin e tij futbollistin Shkodran Mustafi, i cili për momentin mbron ngjyrat e ekipit Sampdoria në serinë A Italisë.

Osmani tha se është kënaqësi e veçantë për të që të takojë një futbollist me prejardhje nga Gostivari i cili ka treguar suksese elitare në futbollin ndërkombëtar që në moshën e re në disa shtete evropiane.

“Duke pasur parasysh moshën tënde të re dhe rezultatet e arritura, jam I bindur se kjo është vetëm fillimi i karrierës tënde dhe në 10-15 vitet e ardhshme të karrierës tënde do të korrësh suksese kulminante, duke përfaqësuar vlerat sportive të Gostivarit dhe duke bërë që ne të mburreni me ty”, tha mes tjerash kryetari Osmani.

Shkodran Mustafi, ka lindur në vitin 1992 në Bad Hesfeld të Gjermanisë, ku jeton me prindërit e tij dhe ka luajtur për kombëtaren e Gjermanisë U17, duke qenë një nga lojtarët më meritor që reprezentacioni i Gjermanisë në vitin 2009 të bëhet kampion evropian. Në moshën 17 vjeçare kalon në Premier ligën Angleze ku mbrojti ngjyrat e KF ”Everton”, ndërsa para disa muajsh kalon në ekipin “Sampdoria” i cili me ndihmën e Shkodranit, prej Serisë B, në këtë stinor kaloi në Serinë A të Italisë.

“Si fëmijë, kur vija në Gostivar, qëndroja shpesh te dajat e mi në Çajlë dhe mund të them se hapat e para të futbollit i bëra pikërisht në rudinë të Çajlës. Prandaj dua që të jap kontribut edhe për futbollin e Gostivarit. Seriozisht jam duke menduar që në perspektivë ta hapi shkollën e futbollit këtu në Gostivar, por edhe të lobojë në klubin tim për të ndihmuar klubin e futbollit të Gostivarit me rekuizita dhe pajisje tjera”, theksoi ndërmjet tjerash Shkodrani, duke iu falënderuar kryetarit Osmani, për respektin që tregoi ndaj tij.

Kryetari Osmani, futbollistit Shkodran Mustafi i ndau Mirënjohje për sukseset e treguara në futbollin ndërkombëtar, ndërsa Shkodrani kryetarit Osmani i dhuroi fanellën me emrin e tij. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button