SHBA: Kosova nuk mund të krahasohet me rastin e Republikës Serbe

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë, Maureen Cormack, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se politika e SHBA-ve është konsistente kur është në pyetje dialogu Kosovë-Serbi dhe se rasti i të dyja vendeve nuk ka asnjë ngjashmëri me Republikën Serbe në Bosnje.

“Sa i përket politikës së Shteteve të Bashkuara ajo ka qenë mëse e qartë dhe konsistente, se nuk ekziston asnjë paralele mes Kosovës dhe Serbisë me Republikën Serbe. Kur është në pyetje Kosova ajo që Shtetet e Bashkuara e përkrahin është përfundimisht dialogu i cili po zhvillohet dhe i cili duhet të vazhdojë derisa të arrihet një zgjidhje që do të ishte fryt i një marrëveshje mes palëve. Ne patjetër e përkahim rolin e Bashkimit Evropian në këtë dialog”, ka thënë ambasadorja Cormack, transmeton REL.

Ajo më tutje ka theksuar se vendi i saj e mbështet sovranitetin e Bosnje Hercegovinës, përderisa është shprehur kundër ndarjes së saj për shkak se dy entitetet këtë e kanë parapararë me marrëveshjen e Dejtonit.

“Politika jonë është konsistente kur është në pyetje integriteti dhe sovraniteti territorial i Bosnje Hercegovinës. Ky është një vend që përbëhet nga dy entitete. Sipas marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja Hercegovina në strukturën e saj përbëhet nga dy entitete dhe ato sipas kësaj marrëveshje paqësore nuk kanë të drejtë për ndarje”, thotë ambasadorja e SHBA-së, Maureen Cormack.

Shumë politikanë evropianë kanë thënë se nëse ka ndryshime të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në Bosnje.

Ideja për ndryshimin e kufirit mes këtyre dy shteteve, është proklamuar nga presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si zgjidhje e mundshme që do të ofronte një marrëveshje paqeje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se do ta mbështesin një zgjidhje për të cilën pajtohen të dyja vendet, derisa Gjermania dhe Britania e Madhe, janë shprehur kundër kësaj ideje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP