Takimi Xhaferi-Koja: Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takim me shefin e porsaemëruar të Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorin Klemens Koja.

Kryetari Xhaferi ia uroi ambasadorit Koja emërimin në funksion dhe shprehu shpresë për bashkëpunim të mëtutjeshëm të frytshëm, duke e pasur parasysh përvojën e tij në strukturat e OSBE-së, si edhe njohjen e madhe të rajonit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, siç thuhet në njoftim për media, ka potencuar se e çmon lartë rolin e OSBE-së në zhvillimin e proceseve demokratike në vend, a sidomos aktivitetet e Misionit në Shkup me të cilin Kuvendi bashkëpunon tani më 26 vite. Ai vlerësoi se neutraliteti i demonstruar dhe kontributi që Misioni e dha në periudhat kritike, janë në dobi të madhe për Republikën e Maqedonisë. Njëkohësisht, ai shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë me OSBE-në, për çka dëshmon intensiteti i takimeve me përfaqësues të lartë të kësaj organizate.

Ambasadori Klemens Koja shprehu kënaqësi që e ndërmerr këtë pozitë të rëndësishme, duke nënvizuar se Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet në zbatimin e proceseve reformuese. Ai i përshëndeti përpjekjet e kryetarit Xhaferi për rritjen e standardit në punën e Kuvendit, si edhe për profesionalizimin dhe pavarësinë e shërbimit të Kuvendit.

Bashkëbiseduesit këmbyen opinione për mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, veçanërisht në drejtim të mbështetjes të Rrjetit të zyrave për komunikim të qytetarëve me deputetët, për çka Misioni i OSBE-së është i gatshëm të sigurojë trajnim të deputetëve dhe të punësuarve, si edhe pajisje të zyrave.

Në takim u bisedua edhe për fushatën për referendumin e ardhshëm, për qëndrimin e opozitës dhe atmosferën ndër qytetarët për të njëjtin, me ç’rast kryetari Xhaferi vlerësoi se numër gjithnjë më i madh i qytetarëve e kuptojnë nevojën dhe rëndësinë e deklarimit në referendum. Duke e theksuar mbështetjen e lartë të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO, të konfirmuar në anketat e fundit për hulumtimin e opinionit publik, ai vlerësoi se ky përcaktim do të duhet të demonstrohet qartë edhe në referendum.

Kryetari Xhaferi dhe ambasadori Koja e theksuan edhe rolin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si faktor shumë i rëndësishëm në strukturën e Organizatës dhe lidhje vitale ndërmjet pjesës qeveritare të OSBE-së dhe deputetëve të cilët janë drejtpërdrejt të zgjedhur nga qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button