#AeDiÇfarë? Në Tetovë u diskutua për sipërmarrësinë dhe mundësitë për biznes në Maqedoni si vend anëtare e BE-së

Dje në Qendrën Kulturore në Tetovë u mbajt ngjarja e katërt nga e #AeDiÇfarë. Fokusi kryesor i diskutimit ishin sipërmarrja dhe mundësitë për biznes në Maqedoni si vend anëtare e BE-së. Moderator i ngjarjes ishte Nazim Rashidi, ndërsa bashkëfolës të tij ishin Veland Ramadani, profesor për sipërmarrje dhe menaxhment në Universitetin e Evropës Juglindore, Krenar Muhidini, java developer dhe menaxher i Linkplus IT për Maqedoninë, me përvojë shumëvjeçare në IT sektorin, dhe Marko Zarev, bashkë themelues dhe dizajner i lojërave në Studio Dark – 1 (Dark – 1), kompani e cila punon në krijimin e aplikacioneve të ndryshme ineraktive.

Nw ngjarje ishin të pranishëm mbi 30 të ftuar, e cila filloi me “ekspoze” ku si eksponate qëndronin të dhëna të ndryshme për shtetin në krahasim me vendet fqinje pas anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian. Diskutuesit fillimisht i paraqitën qëndrimet e tyre për sipërmarrjen në Maqedoni, ndërkaq folën edhe për pengesat dhe problemet me të cilat përballen të rinjtë sipërmarrës të cilët dëshirojnë të fillojnë biznesin e tyre. Panelistët të cilët tani më janë pjesë e biznesit dhe startap komunitetit në vend folën për përvojat e tyre dhe sfidat si sipërmarrës të rinj dhe elaboruan si anëtarësimi në BE do të kishte ndikuar mbi këtë fushë dhe mënyrat në të cilat do të avancohej standardi jetësor në tërësi. Vijuan një sërë pyetje për panelistët nga të pranishmit në lidhje me temën. Më tepër u diskutua për tatimimin e firmave të cilat dëshirojnë të punojnë me BE-në, mekanizma për rritjen dhe mbështetjen e numrit të të rinjve të cilët dëshirojnë të bëhen sipërmarrës, programe për mbështetjen e të rinjve dhe ndërmarrjeve të mesme, ekonominë informate aktuale në IT sektorin etj.

Kjo ngjarje është pjesë e projektit #AeDiÇfarë të cilin e udhëheq Demokraci Lab në nivel nacional me qëllim informimin e qytetarëve për një pjesë të temave të cilët janë me interes për komunitetet e tyre dhe mundësitë të cilat i ofron Bashkimi Evropian për vendet e saj anëtare gjatë përballjes dhe gjetjes së zgjidhjeve për sfida të ngjashme.

Sefer Selimi, themelues i Demokraci Llab si platformë për ndërtimin dhe përforcimin e vlerave demokratike në veçanti tek të rinjtë dhe sektori civil, thekson se të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur të marrin pjesë në evenimente që të kuptojnë më tepër dhe të informohen në lidhje temat të cilat ju interesojnë, ndërsa informata të detajuara në lidhje me kohën, lokacionin dhe temën e diskutimit për dialogjet e ardhshme mund të gjenden në Facebook faqen e Demokraci Lab.

#AeDiÇfarë Kavadarc? do të mbahet te Biblioteka e qytetit Fetkin më 20.09.2018 me fillim në ora 17:00. Në Kavadar do të diskutohet për bujqësinë dhe prodhimin e verës në Maqedoni si vend anëtare e BE-së. Kjo ngjarje organizohet së bashku me Kreativ nga Kavadari dhe Demokraci Lab i fton të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë të dëgjojnë diçka më tepër rreth temës të vizitojnë ngjarjen.

Pas Kavadarit vijojnë #AeDiÇfarë dialogje edhe në Manastir dhe Kumanovë. Të gjitha #AeDiÇfarë dialogjet mund të ndiqen edhe nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në Facebook faqen e Demokraci Lab.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button