MEMORANDUMI I DYTË

Elitat politike dhe akademike serbe vazhdojnë që ta shohin botën me dioptri nacionaliste dhe të gjykojnë sipas kallëpeve mentale të shekullit XIX. Shqiptarët ende shihen si bashkësi fisesh dhe pa vetëdije shtetërore. Paragjykimet janë prodhuar dhe shumëfishuar institucionalisht nga qarqet politike, inteligjente, diplomatike, kulturore dhe klerikale serbe. Një profesor serb, madje, i ndan shqiptarët në “tre popuj që flasin të njëjtën gjuhë”, pra shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë. Marrëzira të këtilla dëgjohen edhe nga intelektualë shqiptarë.

Strumbullari i kësaj mendësie është Akademia e Arteve dhe Shkencave të Serbisë, institucioni më pansllav, tepër ndikues në politikën serbe, që ka projektuar shfarosjen e shqiptarëve. Më 1986 e përpiloi “memorandumin luftës”, të cilin duhej ta jetësonte Millosheviqi. Në atë kohë Aleksandër Vuçiçi ishte adhurues i Sheshelit dhe tifoz i “Crvena Zvezdës”. Ai, ndonëse tenton të shtiret se ndryshon nga etërit e tij politik, beson se “Millosheviqi është lider i madh serb”. Vuçiçi, në fillim të viteve 90-të, tha në parlamentin serb se do të vriteshin 100 boshnjakë për çdo serb të vrarë. Kur kështu flitet në parlament paramendoni se çfarë mund të bëjnë ata që mbajnë armë.

Misioni i Vuçiçit është jetësimi i të ashtuquajturit “Memorandumi i dytë”, i përgatitur nga Akademia serbe në vitin 2011. Memorandumi është dokument intern, i menduar nga akademikët serbë, përfshirë Dobria Qosiqin dhe Lubomir Tadiqin (të atin e politikanit Boris Tadiq), i cili u ishte dorëzuar anëtarëve të qeverisë serbe.

Revista “Europa Magazin” pati shkruar se Memorandumi ishte shkruar për nevoja të brendshme. Dokumenti mohohet nga qarqet politike serbe, por për të kanë shkruar mediat dhe kanë folur edhe intelektualët serbë.

I njohur si “Strategjia për ruajtjen dhe zhvillimin e lidhjeve të shtetit amë me diasporën dhe serbët në rajon”, memorandumi parashihte që kjo lidhje të realizohej nëpërmjet Kishës Ortodokse Serbe. Gjithashtu parashihej një aksion diplomatik dhe propagandistik për zvogëlimin e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e bëra gjatë luftës; që Bosnja, Kroacia dhe Kosova të detyroheshin të hiqnin dorë nga paditë ndaj Serbisë në gjykatat ndërkombëtare; Serbia të trajtohej si shtet i përvuajtur dhe i dëmtuar, sikurse shtetet tjera të rajonit; të insistohej në diskreditimin e Gjykatës së Hagës, kurse Ratko Mlladiqi të gjykohej në gjykatat serbe; të destabilizoheshin qeveritë në BeH, Kroaci dhe Kosovë; të provokoheshin trazira të brendshme dhe pakënaqësi në shtetet fqinje; të ndihmohej ndarja e Republika Serpskës; serbët të ishin faktor konstituiv në Kroaci, Kosovë dhe BeH; bashkësitë serbe në rajon të bëheshin pjesë e një bashkësie unitare serbe; të pengohej shkëputja e Vojvodinës dhe regjionalizimi i Serbisë; të dobësohej ndikimi dhe veprimtaria e Bashkësisë Islame në Sanxhak; të punohej kundër Federatës Boshnjake, Kroacisë dhe Kosovës; të luftohej, siç thuhet, fushata e Malit të Zi kundër kishës dhe gjuhës serbe; të forcohej elementi serb në Maqedoni dhe serbët ta gëzonin statusin e pakicës kombëtare në Slloveni.

Në përpilimin e Memorandumit, krahas Akademisë serbe, ishin angazhuar shumë ekspertë dhe shoqata joqeveritare, të ndihmuar nga ministritë përkatëse të qeverisë serbe.

Sonja Biserko, një kundërshtare e këtij dokumenti, ka thënë se serbët vazhdojnë ta ndjejnë veten padron të rajonit, prandaj i instrumentalizojnë serbët dhe provokojnë situata tensionuese.

Për “Memorandumin e dytë” (që në fakt nuk është i dyti) kanë shkruar media të ndryshme, kurse mediat shqiptare pothuajse nuk e kanë përmendur edhe pse, sikurse shihet në praktikë, politika serbe është e orientuar drejt realizimit të këtyre synimeve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button