SHTETI I DËSHTUAR

Termi shtet i dështuar është një neologjizëm në sociologji, në shkencat politike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare që shënon shtetin e pasuksesshëm, që në gjuhën angleze shprehet me inagmën  failed state, kurse në atë frënge me État en déliquescence. Bëhet fjalë për një shtet sistemi politik dhe ekonomik i të cilit është i dobët, pa kontroll të qeverisë. Është një formë shteti mes atij të fortë (strong state) dhe tjetrit, të shembur (collapsed state). Ky lloj i shtetit nuk ia del që t’i realizojë përgjegjësitë që ka, është i paaftë për t’i shfrytëzuar të drejtat e veta të sovranitetit. Tiparet kryesore të këtij lloji të shtetit janë humbja e kontrollit mbi tokën e vet si pasojë e përplasjes së brendshme afatgjatë, pamundësia për të ofruar shërbime publike, mosfunksionimi i mekanizmave për ofrimin e sigurisë popullore, mosfunksionimi i arsimit, legjislaturës, judikaturës, burokracisë dhe forcat e armatosura pa pavarësi profesionale.

Sipas Rotbergut (2002) shtetet e dështuara janë të tendosura, të konfliktuara thellësisht, të rrezikshme dhe kontestuara nga fraksione ndërluftuese. Në to kontrata sociale që i lidh qytetarët me strukturat qendrore është e dështuar. Në shumicën e këtyre shteteve autoritetet zyrtare ballafaqohen me një ose më tepër rivalë, me rebelime qytetare e të ngjashme, kërkesa politike dhe gjeografike për ndarje të pushtetit dhe për autonomi. Në shtetet e dështuara, pushteti zyrtar kufizohet me kryeqytetin ose me një ose më tepër zona etnike. Shembuj  tipikë të kësaj tipologjie janë Angola, Burundi, Sudani, Afganistani, Siria, Jemeni etj. Indonezia, Kolumbia, Shri Lanka dhe Zimbabve në fillim të shekullit XXI që janë ballë për ballë me rrezikun e dështimit. Ndoshta këtu duhet futur edhe Ukrainën dhe Bosnjë-Hercegovinën!

Weinstein dhe  Vaishnav (2006) shtetet e dobëta, fragjile dhe të dështuara i quajnë “shtete që performojnë dobët” (poorly performing states). Karaktersitikat e shteteve të dështuara, shkencëtarët i kanë ndarë në katër kategori: (1) jokapaciteti ose mungesa e vullnetit për të garantuar siguri të brendshme për popullatën me një formë efektive të kontrollit të kufijve, (2) mosofrimi i mundësive ekonomike, (3) qeveri e korruptuar, (4) sistem që nuk gjeneron mirëqenie për qytetarët, që nuk ua plotëson atyre as nevojat bazike. (Piazza, 2008) Një hartë tjetër shumë e rëndësishme lidhur me këtë subjekt është edhe kjo: rritja e kriminalitetit dhe dhunës politike, ashpërsimi i armiqësive etnike, fetare, gjuhësore dhe kulturore, lufta civile, shfrytëzimi i terrorit kundër qytetarëve, infrastruktura e dërrmuar ose e pamjafteshme, mosaftësia për t’i mbledhur taksat pa shfrytëzuar trysninë, rritja e shkallës së vdekjeve fëminore dhe e rënia e pritjes së jetëgjatësisë, inflacioni dhe kurba e rënies në BPV për kokë banori, preferimi i valutave të huaja, mungesa e ushqimeve (uria). (Rotberg, 2002: 132) Ne do të kishim shtuar edhe migrimin masiv, popullatën rinore që braktis shtetin amë, me qëllim të gjetjes së kushteve më të mira të jetesës, ose fenomeni që quhet shpërngulja e trurit.

Në bazë të këtyre shpjegimeve dhe indekseve vallë ku është vendi apo statusi i shteteve ku jetojë shqiptarët, në veçanti, ku mund të pozicionohet Shqipëria, Kosova e Maqedonia? Korrupsion e krim të organizuar, tenderë të rrejshëm (mjete medicinale, rrugë, urëra, koncesione turizmi), gangsterë, sjellje anomike, emigrim, institucione jonfunksionale, infrastrukturë e shembur, varfëri, klanizma në qeverisje… Shqipëria nuk qeveris zonat e drogës dhe të hakmarrjes, Kosova s’e ka de facto në dorë Veriun… Në Maqedoni për një dekade ka sunduar partitokracia dhe fraksionet kriminogjene, elita të korruptuara. Në Maqedoni, ende është e gjallë, sado që hedhur nën tepih, edhe armiqësia ndërbashkësinore (intercommunal hostility), që herë pas herë nxjerr kokën sipër në momentume të krizave. Këto tre shtete a janë shtete “për t’u mbikqyrur” (states to watch), të dobëta (weak), në masë kritike ë dobëta (critically weak) apo të dështuara (failed)? Sipas organziatës prestigjioze Fund for Peace, në kuadër të  evaluimit katërsh lidhur me fragjilitetin,  aplikuar mbi 178 shtete për vitin 2018, sustainable, stable, warning, alert, si vende më jostabile, më fragjile apo më të dështuara dalin Sudani Jugor (njëshi), Somalia (e dyta), kurse si më të arrira janë Finlanda (178) dhe Norvegjia (177). Avancimin më të madh në korniza globale e  kanë shënuar Haiti, Iraku dhe Nepali, ndërsa kurbën e rënies më të madhe e kanë pasur Katari, Spanja dhe Venecuela. (Messner, 2018) Në këtë hulumtim ku Kosova nuk është përfshirë, Shqipëria dhe Maqedonia (bashkë me Bosnjën dhe Serbinë) gjenden në kategorinë e tretë (në zonën e rrezikut të verdhë), Shqipëria nga viti 2017 shënon keqësim për dy vende (nga 124 në 122), Maqedonia brenda kësaj periiudhe njëvjeçare mbetet në vendin e njëjtë (112).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button