Shkup, u promovua libri “Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë 1944-1974” (FOTO)

Në kuadër të manifestimit “Skënderbeu – simbol i qëndresës së pamposhtur”, në hapësirën e Çifte Hamamit të Çarshisë së Shkupit, u promovua libri i autorit Qerim Lita, “Problemi shqiptar në RP (S) të Maqedonisë 1944-1974”. U vlerësua se libri përmban qindra dokumente, të cilat dëshmojnë dhe faktojnë historinë shqiptare, duke mos lënë vend për fjalë, njofton Portalb.mk.

“Ky libër është me rëndësi për histografinë, për faktin sepse historianët pak kanë pasur mundësi që të gjejnë fakte për këtë periudhë. Kjo do t’ju dëshmojë historianëve, por edhe lexuesve të fitojnë më shumë njohuri kulturore”, vlerësoi profesori, Halim Purellku.

“Historian duhet të shkruhet siç ka qenë, në mënyrë objektive dhe me fakte. Kur flasin faktet dhe argumentet, fjalët nuk kanë vend aty”, tha profesori, Sadik Mehmeti.

“Libri është i përpunuar në mënyrë profesionale, dhe kjo do të mundësojë që të gjithë ata që duan të dinë për këtë periudhë, të dinë se ku të drejtohen”, tha profesori, Nuridin Ahmeti.

Ndërkaq autori i librit “Problemi shqiptar në RP (S) të Maqedonisë 1944-1974”, Qerim Lita duke shprehur falënderime ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në botimin e librit dhe realizimin e promovimit, tha: “Nuk dua të dukemi se ne historianët shqiptarë kemi tendenca, por këtë çfarë shkruan në libër, e kanë thënë edhe historianët dhe gazetarët e huaj”.

Në fund të promovimit, u ndanë edhe tre piktura si shenjë falënderimi për ata që kontribuuan në manifestimin. Për ministrin e Kulturës, Asaf Ademi, për pjesëtarin e shtëpisë botuese Llogos A, Muhamed Jashari dhe për autorin, Qerim Lita.

Përndryshe, libri “Problemi shqiptar në RP (S) të Maqedonisë 1944-1974” është përmbledhje dokumentesh dhe përmban 6 vëllime: Qëndresa antikomuniste, Procesi i shpërnguljes, Kërkesat e inteligjencës shqiptare, Demonstratat e vitit 1968, Avancimi i statusit dhe Arsimi, kultura dhe religjioni.

Manifestimi kulturor  “Skënderbeu – simbol i qëndresës së pamposhtur”, është pjesë e shënimit të përvjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe realizohet në kuadër të “Valës së re kulturore”.

Ideatore e manifestimit është Valbona Zunçe Pajaziti, dhe organizohet nën emblemën e Ylberi plus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button