Deputetët: Referendumi është mjeti më i fuqishëm i demokracisë, dilni dhe votoni!

Deputetët Ivana Tufegxhiq, Bojan Petreski dhe Xhevat Ademi sot thanë se referendumi është mjeti më i fuqishëm që kanë banorët në demokraci dhe bënë thirrje që me 30 shtator në mënyrë masive të dilet dhe të votohet, përcjell Portalb.mk.

“Kemi shansin historik që me 30 shtator secili nga ne të ndajë 30 minuta për të votuar dhe Maqedonia të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s”, tha Ademi nga radhët e BDI-së.

Ai shtoi se në referendum, qytetarët pa marrë parasysh nacionalitetit, partisë, apo përkatësisë fetare, kanë shansin të jenë pjesë e historisë.

“Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më afër realizimit të idealeve të shumë gjeneratave para nesh. Neve na përket shansi historik që të jemi pjesë e realizimit të këtij ideali”, tha Ademi.

Kolegia e tij, Tufegxhiq thotë se referendumi është fuqia e qytetarit për të vendosur në këtë moment historik.

“Zëri që do jepet në referendum do të jetë finali. Kësaj radhe vendimi është i joni që të vendosim se në cilin drejtim do të shkon Maqedonia, në drejtimin e prosperitetit apo të izolimit”, tha deputetja.

Ajo shton se vendimi për ardhmërinë e Maqedonisë nuk është vetëm për ne por edhe për gjeneratat pas nesh.

“Ne po sjellim vendim edhe për ata që nuk kanë të drejtë vote, por mu ata do të vlerësojnë që edhe para tyre japim llogari ne me vendimin tonë sot. Për këtë të zgjedhim ardhmërinë në të cilën të rinjtë do të jenë të barabartë me moshatarët e tyre në BE. Kemi detyrim që të lëmë një shtet që jep ardhmëri. Këtë shansë nuk duhet ta humbasim, askush nuk mund të zgjedh rrugën tonë përveç ne vetë”, shtoi ajo.

Deputeti Bojan Petreski tha se kemi një sfidë para nesh, pasi që Maqedonia tani është në udhëkryq.

“Referendumin e kuptoj si dilemë mes sigurimit të ardhmërisë për gjeneratën tonë në shoqërinë e demokracisë evropiane dhe botërore, apo do të ngelim vetëm dhe të izoluar. I ftoj të gjithë të rinjtë të dalin e të votojnë dhe të mos përsëritet gabimi si në Britaninë e Madhe, kur lejuan që vendimin për Brexit ta sjellin të tjerët në vend të tyre. Aty të rinjtë e bënë gabimin, nuk dolën në votime dhe të tjerë vendosën për ardhmërinë e tyre. Tani kur e kuptuan se më të moshuarit sollën vendim të gabuar, është shumë vonë”, tha Petreski.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button