Pacolli: Shqipëria të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli kërkoi nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati që Shqipëria të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Pacolli e informoi Bushatin për rrjedhën aktuale të dialogut dhe tha se marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Dialogu përfundimtar me Serbinë pothuajse ka filluar, ka pasur tri takime, takimet vazhdojnë. Edhe pse jashtëzakonisht i vështirë ai duhet të vazhdojë, është i kufizuar në kohë, nuk do të zgjatë me dhjetëra vite por ai duhet të japë konkluzionet e veta shumë shpejtë dhe kjo i nevojitet edhe Serbisë për integrimet e saj, por edhe Kosovës”, deklaroi Pacolli.

Ai tha se në dialogun me Serbinë gjithçka është e hapur, por duke pasur parasysh se Kosova është një shtet që shpalli pavarësinë në 2008 në territorin e saj këto kufij duhet të respektohen dhe mbrohen.

Pacolli tha se ai i kërkoi palës shqiptare të mos “rrijë duarkryq” dhe vetëm të vëzhgojë çfarë po ndodhë, por të jetë pjesë përbërëse e synimit tonë.

“Nëse mundet Bashkimi Evropian dhe SHBA të jenë prezente pse jo edhe Shqipëria. Shqipëria mund të jetë një kontribut jashtëzakonisht të madh”, tha Pacolli.

Ministri Bushati vlerësoi se Shqipëria ka mbështetur gjithmonë procesin e dialogut, pavarësisht se kush ishte ose është në pushtet në Shqipëri apo Kosovë.

“Deviza jonë në Shqipëri është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal, kur të vjen puna për këtë çështje ne kemi demonstruar një unitet dhe solidaritet”, theksoi Bushati.

Të dy ministrat diskutuan gjithashtu për mbështetjen që Shqipëria mund t’i ofrojë Kosovës në procese të tjera, të tilla si anëtarësimi në INTERPOL dhe organizatat e tjera. Ata diskutuan mbi misionet e përbashkëta diplomatike të Kosovës dhe Shqipërisë jashtë vendit, nevojën për të rritur shkëmbimin tregtar midis dy vendeve dhe për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button