Është hapur zyra e parë ndërlidhëse në mes të dy Koreve

Koreja Veriore dhe ajo Jugore kanë hapur të premten zyrën e parë ndërlidhëse afër kufirit mes dy vendeve, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve, transmeton Reuters, përcjell REL.

Ky vendim është marr vetëm një javë para mbajtjes së samitit të planifikuar në mes të liderëve të dy Koreve në Phenjan.

Zyra e hapur në zonën kufitare, Kaesong të Koresë Veriore përbën vetëm një nga disa hapat e marrë mes dy vendeve, me synim të arritjes së pajtimit.

Kjo zyrë është e para e llojit të saj prej kur dy Koretë janë ndarë në fund të Luftës së Dytë Botërore më 1945.

Deri më tani, dy Koretë kanë përdorur telefonin dhe komunikimet e modelit të faksit kur kanë planifikuar takime apo kanë ndarë informacione.

Mirëpo edhe këto kanale shpesh janë pezulluar për shkak të tensioneve të lidhura me programin bërthamor të Koresë Veriore.

Në një ceremoni hapëse në Kaesong, ministri jugkorean i Unifikimit, Cho Myoung-gyon, ka thënë se zyra do të bëhet “djep i prosperitetit korean”.

“Do të ulemi ballë për ballë, do të këmbejmë mendimet tona dhe do të diskutojmë bashkë për të zgjidhur çështje të vështira”, është cituar të ketë thënë ai.

Edhe udhëheqësi i Komitetit të Koresë Veriore për Ribashkim Paqësor, Ri Son Gwon, ka thënë gjatë ceremonisë, se zyra do t’iu ndihmojë dy Koreve që të zhvillojnë “bisedime të sinqerta”, si dhe për lidhjet më të forta mes dy vendeve.

Në takimin paraparak me liderin e Koresë Jugore, Moon Jae-in, por edhe në samitin tjetër të zhvilluar me presidentin amerikan, Donald Trump, lideri verikorean, Kim Jong Un, ka shprehur përkushtimin e tij për denuklearizim të plotë të Gadishullit Korean.

Mirëpo pavarësisht këtyre deklaratave, zyrtarët amerikanë kanë kërkuar hapa më të mëdhenj nga verikoreanët për të vërtetuar përkushtimin e tyre në këtë aspekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP