Inspektorati komunal sërish mbyll sytë, 70 për qind e ndërtesave në Çair nuk kanë këshill banesor

Ende nuk ka nisur realizimi i projektit për efikasitet energjetik nga ana e komunës së Çairit, projekt ky të cilin e premtoi kryetari i komunës, Visar Ganiu. Mungesa e këshillave banesorë në ndërtesat e kësaj komune është arsye pse ky proces ende nuk ka filluar.

Edhe pse me Ligjin për banim çdo ndërtesë duhet të ketë këshill banesor për mirëmbajtjen e vendbanimit, ky siç duket nuk praktikohet në këtë komunë. Portalb.mk vizitoi disa nga ndërtesat më të mëdha të kësaj komune dhe nga biseda me banorët u vërtetua se nuk kanë këshill banesor.

“Ka njëzet vjet që jetoj këtu dhe asnjëherë nuk ka pas iniciativë që të formohet një këshill, madje as edhe pastrimin nuk paguhet, shkon pastruesja derë më derë duke kërkuar paratë. Është turp të funksion kështu një ndërtesë në këtë shekull. Komuna duhet të bëjë kontrolle. Shpesh ndodh që nga prishja e derës, hyjnë lëre se hajdut por edhe persona të papërgjegjshëm që kryejnë nevoja fiziologjike në korridoret e banesës”, thonë banorët e një ndërtese në lagjen Fushë Topane të kësaj komune.

Inspektori komunal Zaim Ademi, konfirmon për Portalb.mk se mbi 70 për qind e ndërtesave në Çair nuk kanë të paraqitur këshill banesor, dhe sa i përket dënimit nga ana e komunës, ai thotë se kjo gjë bëhet në bazë vullnetare.

“Është e vërtetë, mbi 70 për qind e ndërtesave nuk kanë këshill banesor, por ne nuk mund të bëjmë asgjë sepse formimi i këshillit është vullnetar dhe komuna nuk ka ingerenca të bëj asgjë”, tha Ademi.

Madje edhe vetë Ganiu tha për Portalb.mk se kjo ishte arsyeja për mos realizmin e këtij projekti.

Siç po e shihni në foto, ky projekt nuk ka filluar të realizohet.

Rruga Xhon Kenedi Çair, Foto:Portalb.mk

 

Rruga Xhon Kenedi Çair, Foto:Portalb.mk

Ndryshe nga komuna e Çairit, në komunën e Aerodromit nuk funksionon kështu kjo procedurë.

Nga inspektorati komunal në Aerodrom konfirmuan për Portalb.mk se komuna mban regjistrat e ndërtesave dhe duhet të bëjë thirrje për formimin e këshillit banesor për funksionim më të mirë dhe nëse e njëjta gjë nuk bëhet ka gjoba për shkelje të ligjit.

“Inspektorati komunal duhet të mban regjistra për të gjitha banesat dhe të raportojë se cilat nuk kanë të formuar këshill banesor dhe më pas komuna bën thirrje që të njëjtat ta formojnë atë dhe të respektohet ligji”, thonë për Portalb.mk nga inspektorati urbanistik në Aerdorom.

Por, edhe kësaj radhe siç duket inspektorati komunal në Çair mbyll sytë ndaj shkeljes së ligjit, siç ishte rasti edhe me shfrytëzimin e hapësirave të parkingjeve si depo produktesh ushqimore.

Ndryshe, efikasiteti energjetik u premtua për gjithsej 141 ndërtesa të kësaj komune.

Ndërkaq kryetari i komunës së Çairit, Visar Gani gjatë fushatës së tij parazgjedhore premtoi shumë gjëra lidhur me përmirësimin e kushteve të kësaj komune, e cila për vite të tëra është lënë në mjerim dhe në kaos të vërtetë.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button