A ka komunë Prishtina dhe Kuvend e deputetë Kosova?

Në qoftë se shkoni në varret e Prishtinës, për të qenë në ndonjë varrim apo për të vënë lule në varrin e ndonjë familjari, të afërmi a miku, kur të ktheheni nëpër atë rrugën që lëshohet teposhtë, shikoni djathtas dhe besoj se do të shihni edhe diçka që s’do të donit ta keni parë.

E do të shihni dy rrygica, të shënuara për t’u mbajtur mend.

E para, është rrugica në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një si tabelë me emrin e babait të Shqipërisë, Ismail Qemalit. Si duket ajo tabelë, si duket mbajtësja e asaj tabele, si duket i gjithë fillimi i asaj rrugice me emrin e Ismail Qemalit? Shikojeni fotografinë që po i’a bashkëngjes këtij postimi! Ndoshta pamja që do të shihni do t’u pikëllojë!

Është një përmendore e Ismail Qemalit në sheshin para ndërtesës së dikurshme të Rilindjes së dikurshme e rethuar me një rrethojë që s’lejon të shihet sa duhet e si duhet ajo përmendore. Në qoftë se ndalemi e i afrohemi asaj përmendoreje artistike, të dinjitetshme, do të pyesni veten: po ç’do në Prishtinë edhe një Ismail Qemal, edhe një Ismail Qemal ashtu i fyer ashtu siç është fyer në fillim të rrugicës që të çon në varre!

E dyta, është rrugica, dy rrugica më poshtë se ajo me emrin e Ismail Qemalit në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një tabelë me emrin e Mithat Frashërit, birit të Abdyl Frashërit – ideologut dhe diplomatit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lidhjes së Prizrenit. Ajo tabelë, mbajtësja e tabelës, fillimi i rrugicës me emrin e Mithat Frashërit të pikëllojnë, të trishtojnë edhe më shumë se rruga me emrin e Ismail Qemalit.

Mithat Frashëri në kohën e komunizmit ishte i mallkuar: i mallkuar në Shqipërinë shtetërore dhe i mallkuar në Kosovë! Dhe ishte i mallkuar pse kishte qenë themelues e kryetar i Ballit Kombëtar. Por ata që ia kanë vënë emrin në rrugicën pak metra para varreve të Prishtinës dhe lejojnë që emri i tij në atë tabelë, në fillim të rrugicës, të duket aq mjerueshëm ndoshta kanë harruar: se Mithat Frashëri ishte politikan, shkrimtar, studiues shkencor, publicist, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kryetar i këtij Kongresi, anëtar i Komisionit të këtij Kongresi, që do të hartojë albafetin e gjuhës shqipe; ishte autor i një vargu veprash letrare, publicistike e shkencore, ishte autor i veprës Shqiptarët dhe sllavët, ishte politikani dhe intelektuali ndër më të shquarit shqiptarë të kohës së tij që deri në vdekje nuk do të pushojë të shkruajë e të flasë për copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për pushtimin e Kosovës prej Serbisë e të trojeve të tjera shqiptare prej Serbisë, prej Malit të Zi e prej Greqisë, për padrejtësitë tragjike që fuqitë e mëdha evropiane i kishin bërë popullit shqiptar.

Shikojini mendueshëm fotografitë e dy rrugicave ku janë vënë tabelat me emrat e Ismail Qemalit dhe Mithat Frashërit! Besoj se mbasi t’i shihni do të bëni pyetjen:

Pse lejohet një fyerje e tillë e historisë dhe e kulturës sonë?

Shkojmë në varret e Prishtinës të pritur prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit dhe kthehemi prej varreve të Prishtinës të përcjellë prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit!

A ka komunë Prishtina? A ka deputetë ajo komunë?

A ka Kuvend Kosova?

A ka deputetë Kosova?

A kanë deputetë Prishtina e Kosova të cilët do ta mbrojnë historinë e Kosovës dhe historinë shqiptare në përgjithësi prej falsifikimeve, prej shpërfytyrimeve, prej privatizimeve, prej fyerjeve të ndryshme që po i bëhen sot me shumëçka, kryesisht prej disa partive, prej të pushtetshmëve dhe të partishmëve, të cilët edhe historinë kombëtare po e keqpërdorin pa skrupuj për t’u mbajtur në pushtet sa më gjatë!

Deri kur?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button