Gjermania: Duhet t’i parandalojmë sulmet kimike në Siri

Gjermania dhe vendet e tjera duhet të bëjnë gjithçka të mundur për të parandaluar sulmet kimike në Siri, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula Von Der Leyen, transmeton REL. 

“Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë neve, duhet të bëjë gjithçka të mundur për të parandaluar përdorimin e armëve kimike në Siri”, tha Von Der Leyen në Bundestagun gjerman, dy ditë pasi Qeveria gjermane tha se po bisedon me aleatët për vendosjen e mundshme ushtarake atje.

“Gjermania nuk mund të veprojë sikur nuk ndikohet (nga këto zhvillime)”, tha ajo.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha po ashtu të mërkurën se Gjermania nuk mund të qëndrojë në distancë nëse ndodhin sulme kimike në Siri.

Shqetësimet janë rritur pasi forcat e Qeverisë siriane, me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit, po përgatiten për një ofensivë në provincën Idlib.

Ato duan të kthejnë kontrollin e kësaj enklave – e fundit që mbahet nga rebelët.

Në Idlib jetojnë më shumë se 3 milionë njerëz dhe pothuajse gjysma e tyre janë zhvendosur nga luftimet në vende të tjera në Siri.

Të mërkurën, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Edogan, tërhoqi vërejtjen për një katastrofë humanitare, nëse realizohet ofensiva e Qeverisë siriane në Idlib.

Ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike kanë thënë se janë të bindur se forcat qeveritare qëndrojnë prapa një sulmi me agjentin nervor Sarin, i cili është kryer në një qytet në jug të Idlibit, në prill të vitit 2017, duke lënë të vrarë mbi 80 vetë.

Akuzat janë hedhur poshtë nga Qeveria siriane.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP