Blok: Marrëveshja e Prespës është një kompromis i ndjeshëm

Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Holandës, Stef Blok, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, pas takimit me homologun e tij nga Maqedonia, Nikolla Dimitrov, theksoi se Holanda do të vazhdojë të jetë partner afatgjatë i Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit sy më sy, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë dhe Holandës, Nikolla Dimitrov dhe Stef Blok, zhvilluan konferencë të përbashkët të shtypit.

Shefi i diplomacisë holandeze, Blok, theksoi se Qeveria e Maqedonisë ka bërë hapa të guximshëm dhe të rëndësishëm, të cilat nuk janë të lehta në afat të shkurtër, por në afat të gjatë, siç thotë ai, “jam i bindur se do të sjellin përparim dhe mirëqenie të Maqedonisë”.

“E kuptoj se Marrëveshja e Prespës është kompromis i ndjeshëm, por zgjidhja e kësaj çështje hap dyert e një të ardhme më të mirë për Maqedoninë. Kjo varet prej të gjithë aktorëve politikë, përfshirë edhe opozitën që ta zbatojnë këtë rrugë deri në fund”, theksoi kryediplomati holandez.

Blok, po ashtu theksoi se referendumi është pjesë e procesit demokratik dhe për të duhet të bisedohet me argumente.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, theksoi se Maqedonia dhe Holanda kanë bashkëpunim të frytshëm dhe të gjatë.

“Këtë vit shënojmë 25 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike që i lidhëm në vitin 1993. Me Holandën na lidh miqësia tradicionale. Holanda atëherë, kur na duhej ishte një nga donatorët më të mëdhenj”, tha Dimitrov.

Ai po ashtu nënvizoi se nuk është qëllimi vetëm që Maqedonia të bëhet vend anëtar i BE-së, por Maqedoninë ta bëjnë një vend evropian.

“Holanda ka politikë të të qenurit strikt dhe korrekt, në raport me aderimin në Bashkimin Evropian. Ne jemi tifoz dhe mbështesim këtë zbatim, meqë qëllimi jonë nuk është vetëm të bëhemi anëtarë të BE-së, por shtetin tonë ta bëjmë evropian”, theksoi shefi i diplomacisë së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button