Veseli e Meta bëjnë thirrje për unitet politik për dialogun me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të cilin e ka informuar për zhvillimet politike në vend dhe për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka shprehur qëndrimin e Republikës së Kosovës se në fazën finale të dialogut me Serbinë vendi ynë synon njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hapjen e rrugës për anëtarësim në OKB, NATO, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Veseli theksoi se në këtë proces Institucionet e Kosovës duhet të jenë të unifikuara dhe të ketë konsensus të gjerë nga forcat politike parlamentare. Ai tha se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të pacenuar dhe të panegociuara.

Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi, të cilët po ashtu theksuan nevojën e arritjes së konsensusit të brendshëm për fazën finale të dialogut.

Presidenti Ilir Meta tha se Shqipëria po ndjek nga afër këtë proces dhe do të jetë e gatshme ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fazat. Ai tha se në procesin e dialogut, shteti i Kosovës duhet të ketë konsensus të gjerë politik dhe se partitë opozitare duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të gjithë së bashku të ndërtojnë platformë shtetërore dhe ekip për dialogun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button