SHBA feston 236 vjetorin e pavarësisë

Sot populli amerikan feston 236-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Është dita kur amerikanët festojnë Pavarësinë kudo që ata ndodhen. 

Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë. Në këtë dokument deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre.

Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej gjithashtu se populli ka të drejtën të ndryshojë qeverinë, nëse ajo u mohon atyre të drejtat. Komisioni që hartoi Deklaratën e Pavarësisë u udhëhoq nga Tomas Xheferson, ku merrnin pjesë edhe personalitete që kontribuuan për Pavarësinë e Amerikës dhe për demokracinë e saj si Xhon Adams, Benxhamin Franklin, Roxher Sherman etj.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është dokumenti politik më me rëndësi në botë që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

4 Korriku kumbon thellë në zemër tek tre fjalët e para të Kushtetutës amerikane, “we the people”, “ne populli”, për të theksuar rolin e rëndësishëm që shtetasit amerikanë kanë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara: Ato tre fjalë u bëjnë thirrje amerikanëve të mos harrojnë se përveç pushtetit që ata ushtrojnë ndaj qeverisë, nëpërmjet të drejtës së tyre të votës, ata duhet të mbajnë edhe përgjegjësinë për lirinë e vendit të tyre.
 
Amerikanët mblidhen çdo 4 korrik jo vetëm për të festuar triumfin e demokracisë, historinë, qeverisjen, traditat e SHBA, me fjalime politike, parada, fishekzjarrë, karnavale, koncerte, piknikë, lojëra bejsbolli, pritje në ambasada etj., por edhe për të skicuar më tej të ardhmen e saj.

Sot, SHBA kanë një vizion dhe strategji për një botë më të mirë. Strategjia e SHBA është një strategji partneritetesh që afirmon rolin jetësor që kanë NATO dhe aleanca të tjera që kanë SHBA, duke përfshirë edhe OKB-në. Kjo strategji është e rrënjosur në promovimin e lirisë dhe dinjitetit në të gjithë botën, që ka të bëjë me shtetin ligjor, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, tolerancën fetare dhe etnike, të drejtat dhe respektin për gratë, dhe respektin për pronën private etj.

Në këtë 236-përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, të gjithë i bashkon fort shpresa e përbashkët se mund ta bëjnë botën një vend më të mirë për brezin e tanishëm dhe ata të ardhshëm. 

Megjithëse kanë kaluar 236 vjet, demokracia amerikane ka qenë dhe mbetet e suksesshme për faktin se drejtuesit e politikës amerikane, pavarësisht sukseseve që ka arritur në standardin e jetesës dhe zhvillimin ekonomik, ata janë realistë dhe përgjegjësia e tyre nënkupton për të bërë më të mirën për vendin dhe qytetarin.

SHBA kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që paqja të ruhet, të mbrohet dhe të zgjerohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button