ASHAM debat shkencor për Marrëveshjen e Prespës

Në Akademinë e Shkencave dhe Artave të Maqedonisë (ASHAM) sot u mbajt debat shkencor me temë “Marrëveshja e Prespës: Rëndësia ndërkombëtare dhe implikimet mbi integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në debatin shkencor morën pjesë kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, shkencëtarë, si dhe përfaqësues të korit diplomatik në vend.

Kryetari i ASHAM-it, Taki Fiti, foli për përfitimet ekonomike të Republikës së Maqedonisë nga Marrëveshja e Prespës me Republikën e Greqisë për zgjidhjen e dallimeve për emrin dhe nga intensifikimi i proceseve euroatlantike.

Akademiku Fiti tha se debati i sotëm shkencor është në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të ASHAM-it që të japë kontribut të plotë në procesin e ndërtimit të Ballkanit si rajon i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.

“Republika e Maqedonisë, me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë dhe zbatimin e obligimeve që dalin prej saj, ka një shans historik. E para, përgjithmonë ta sigurojë pacenueshmërinë e kufijve të saj dhe të integritetit të saj territorial. E dyta, përgjithmonë të sigurojë dhe çimentojë çështjet e saj identitare dhe atributet. E treta, me përshpejtim të vazhdojë drejt anëtarësimit të plotë në BE, me çka hapen perspektiva për ndërtimin e Maqedonisë si një shoqëri demokratike, ekonomikisht prosperuese dhe multikulturore. E katërta, ta intensifikojë bashkëpunimin ekonomik, shkencor dhe bashkëpunimin në domenin e kulturës me Republikën e Greqisë”, konsideron akademik Fiti.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se debati i sotëm shkencor është një mundësi që vjen në një kohë kyçe për të dhënë kontribut në temën për Marrëveshjen e Prespës, për domethënien ndërkombëtare, si dhe për implikimet mbi integrimet euroatlantike të Maqedonisë.

“Në referendumin më 30 shtator, qytetarët e vendit tonë, do të kenë mundësi, që secili sipas bindjes së vet personale, t’i konfirmojë ndryshimet që do ta përcaktojnë ardhmërinë e vendit tonë. Ardhmërinë e sigurisë, mirëqenies dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve tanë”, tha Zaev.

Ai shtoi se nëse nuk tejkalohej kontesti për emrin me Greqinë, dera e anëtarësimit të vendit në BE do të mbetej e mbyllur, por theksoi se qytetarët do ta kenë fjalën e fundit në refundim më 30 shtator, duke shprehur besimin se ata do ta bëjnë zgjedhjen e duhur.

Për kontekstin politik në të cilin u nënshkrua Marrëveshja foli edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, duke u ndalur në aspektin e diversitetit etnik, religjioz dhe kulturor.

Sipas tij, Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit të emrit është parakusht për avancim të fuqishëm të shtetit, garanci për kufijtë, stabilitet për paqen dhe zhvillimin ekonomik, por edhe për forcimin e identitetit të të gjitha bashkësive etnike.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, tha se kur vlerësohet Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin, doemos duhet pasur parasysh konteksti, duke theksuar se Evropa vitin e fundit tregon sinjale interesimi për Ballkanin, që është diçka që duhet shfrytëzuar.

Ministri Dimitrov shtoi se në rajon ekzistojnë çështje të cilat mund të krijojnë jostabilitet të ri.

“Ditëve të kaluara jemi dëshmitarë se për çka po flitet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Detyra dhe përgjegjësia jonë është që Maqedoninë ta tërheqim nga ajo pasiguri dhe ta kalojmë atë prag, ndërsa rruga që e kërkuam 27 vite është rruga e përcaktuar me Marrëveshjen e Prespës. Nuk mund të shkojmë përpara në NATO dhe BE, nëse nuk jemi miq me shtetet që tashmë janë brenda. Nuk ka mënyrë tjetër”, konstatoi Dimitrov.

Në pjesën e dytë të debatit “Interpretimi i marrëveshjes dhe implikimet e saj”, adresime kishin akademikë, profesorë, ndërsa në sallë hynë edhe përfaqësuesit e nismës “Bojkotoj”, të cilët konsiderojnë se referendumi duhet të bojkotohet, meqë sipas tyre, Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit është në kundërshtim me interesat nacionale të shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button