Thaçi: Lartësimi i Millosheviçit nga Vuçiçi, një qëndrim i gabuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se lartësimi i Sllobodan Millosheviçit nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë vizitës në Kosovë ka qenë gabim dhe nuk ndihmon atmosferës më të mirë të dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi pas takimit me liderët nga Lugina e Preshevës tha se fjalimi i Vuçiçit për pajtim, mirëkuptim dhe domosdoshmërinë e një marrëveshjeje me shqiptarët nuk shkon me një tregim për kasapin e Ballkanit, përgjegjës për gjenocid në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Slloveni.

“Këto dyja nuk shkojnë bashkë. Lartësimi i figurës së xhelatit ballkanik Millosheviç dhe gjeneralëve të tij dhe thirrja për paqe, mirëkuptim, fqinjësi dhe marrëveshje nuk shkojnë paralelisht. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ishte një qëndrim i gabuar, i panevojshëm dhe nuk ndihmon në një atmosferë më të mirë të dialogut dhe negociatave”, tha Thaçi në një konferencë të përbashkët për media me liderët politikë shqiptarë nga Lugina e Preshevës me të cilët sot u takua në Prishtinë.

Me këtë rast, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës të votojë një rezolutë që do të mbështesë kërkesën e tyre që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën, si dhe të përfshihet në fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi.

Lidhur me këtë, Thaçi tha se është e qartë se vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës është institucionalizuar nëpërmjet udhëheqësve të tyre politikë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe se ai si president i Kosovës mbështet fuqishëm realizimin e kërkesës së tyre.

“Shpresoj dhe besoj fuqishëm se të gjithë në Kosovë, pavarësisht nga dallimet partiake, ideologjike dhe lokale, partitë politike, shoqëria civile, mediat, qytetarët, do të mbështesin të drejtën për bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën”, theksoi Thaçi.

Ai tha se beson se Qeveria, Parlamenti dhe të gjitha partitë do të mbështesin kërkesën që përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, përmes institucioneve të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Thaçi tha se Prishtina do të punojë për afrimin me shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe se do t’u ndihmojë atyre përmes fondeve të solidaritetit. Ai gjithashtu përsëriti se korrigjimi i kufirit që ai përfaqëson nuk nënkupton ndarjen ose shkëmbimin e territorit.

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, tha se presidentit Thaçi i është paraqitur ideja për miratimin e Rezolutës, të cilën Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë lidhur me kërkesën për t’u bashkuar me Kosovën, që daton nga viti 1992.

“Tjetra, sot kemi diskutuar edhe mbi përfshirjen, të cilën e kemi kërkuar edhe më herët, Luginën e Preshevës në ekipin negociues që bisedon edhe rreth Luginës së Preshevës në këtë fazë përfundimtare të dialogut dhe mendoj se kjo është një kërkesë legjitime dhe nuk krijon një disbalanc në drejtimin e Serbisë sepse ne tashmë kemi përfaqësues të serbëve”, tha Arifi.

Presidenti Thaçi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me vizitën e tij eventuale në Luginën e Preshevës duke thënë se ai ishte dënuar në mungesë në Serbi dhe se si president nuk mund të lejojë që të përplaset me policinë serbe, të cilën ai e ka kundërshtuar, siç tha, kur ishte koha për këtë.

Ai shtoi se, për fat të keq, Beogradi nuk e sheh të arsyeshme prezencën e tij në Luginën e Preshevës dhe se për të gjitha këto, ai kurrë nuk ka kërkuar leje për të vizituar shqiptarët atje.

Megjithatë, ai porositi se të gjithë ata që kanë mundësi, nga deputetët deri tek shoqëria civile, duhet të jenë sa më shpesh në Luginën e Preshevës për t’iu siguruar mbështetje shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button