Referendumi si traktat ndëretnik në dobi të shqiptarëve

Ёshtë i padiskutueshëm pozicioni shqiptar në mbështetjen e referendumit për ndryshimin e emrit të R.Maqedonisë, si nga organizatat politike, apolitike, shoqëria civile, mbështetur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Një proçes i kuptueshëm drejt dhe i pakontestueshëm nga asnjë element faktorial shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.

Në kuptimin gjuhësor, traktati është marrëveshje ndërmjet dy ose me shumë shtetesh apo palësh, për çështje të ndryshme politiko-ekonomike. Në aspektin formalo–juridik, me ratifikimin e tij, pasojnë obligimet ligjore mes kontraktuesve. I kemi të njohura traktatet evropiane të bashkëpunimit ndërmjet shteteve, për marrëveshje në shumë sfera, madje praktika ndërkombëtare njeh edhe traktatet e fshehura për të arritur palët synimet e tyre në forma tjera. Popujt nëpërmjet traktateve kanë kaluar në etapa të reja emancipuese shoqërore, akte që shuajnë urrejtjet dhe luftërat e ndërsjella, në zgjidhje paqesore të gjërave. Sic ndodhi edhe tek ne, me nënshkrimin ndëretnik të Marrëveshjes së Ohrit.

Nëse referendumi për ndryshimin e emrit kalon me një epilog pozitiv, siç edhe pritet,  do të pasojë me proçesin e zhbllokimit të vetos greke, që hap rrugën për anëtarësimin e R.Maqedonisë në Aleancën ushtarake të NATO-se, me pastaj mundësinë e afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian; zhvillimin e shtetit në sferën ekonomike; lëvizjen e lirë të qytetarëve; shumë të përfolurën e stopimit të ndikimit Rus, e të tjera me radhë.  Referendumi në vete, në një kuptim të lexuar mes rreshtash, shndërrohet në traktat ndërmjet etnive që jetojnë në ketë shtet, veçanërisht etnive shumicë, shqiptare dhe asaj maqedonase. Referendumi si traktat i nënkuptuar, marrëveshje barazie e lirive dhe të drejtave etnike, dakorduar mes partnerëve të koalicionit qeveritar, përfaqësues të shumicës së vullnetit qytetar, të etnive më të mëdha. Me një qëllim të përbashkët, integrimin në strukturat evropiane – perëndimore, struktura që parimisht garantojnë liritë dhe të drejtat e barabarta të njeriut, të çdo vendi anëtar të kësaj bashkësie të madhe evropiane.

“De jure” në R.Maqedonisë shqiptarët dhe maqedonasit “traktatin” e parë e arritën  si pasojë e mekanizmit të dhunës, gjakderdhjes, luftës së armatosur të cilën e bëri e famshmja Ushtria Clirimtare Kombëtare, me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo detyroi të gjithë palën maqedonase sllavo-folëse, në pranimin e kërkesave për avancimin e lirive dhe të drejtave shqiptare në këto hapësira, si popull i padiskutueshëm shtetformues. Kërkesa të cilat pasuan me ndryshimet kushtetuese dhe fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, që për hir të së vërtetës, pati shumë pengesa, intriga, u vunua në implementim dhe akoma nuk është përmbushur e gjitha. Shtuar atë se nevojat e shqiptarëve për një barazi të plotë, janë edhe përtej Marrëveshjes së Ohrit.

Nga e gjitha kjo, si frymë qytetare për çështjet integruese, është e kuptueshme dhe pranueshme domosdoshmëria e ndryshimit të emrit, e cila gjeneron “de fakto” traktatin e ndëretnive për barazi shoqërore, në mekanizmin e garantuar të BE-së.

Kësaj radhe, ky lloj i traktatit nuk ka nevojë për gjakderdhje ose ndonjë sakrificë tjetër sublime, pos asaj që ditën e mbajtjes së referendumit, më 30 Shtator, të gjendet kohë dhe të dilët paqësisht e gezueshëm në një votim masiv, për alternativën “PRO” ndryshimit të emrit.

Ёshtë një referendum ndëretnik, për arsyen se mekanizmat e Bashkimit Evropian do të rëndojnë mbi të zakonshmen palë intrigante dhe stopuese maqedonase, kundrejt të drejtave të shqiptarëve, ta detyrojnë atë që sa më shpejt dhe cilësisht të implementojë Marrëveshjen e Ohrit dhe gjithë të drejtat që dalin si pasojë e kartave dhe konventave ndërkombëtare, të zbatuara nga ky bashkim ekonomik dhe ushtarake shtetesh, siç është Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Ky fakt i detyrimit të ndërsjellë është i njohur dhe i kuptueshëm për palën maqedonase, palën që është aktualisht “Pro” referendimit, fituesen e shumicës së besimit nga elektorati maqedonas, qeverisëse në koalicionin me shqiptarët e besimit të shumicës popullore.

Integrimi në strukturat perëndimore, jo vetëm që garanton të drejtat e lartpërmendura, por rregullon edhe shumë sfera tjera të cilat sot janë ganrgrenë shoqërore, si lufta ndaj korrupsionit; gjykata të drejta dhe pakorruptuara; shtet i mirëqenies qytetare. Kujdesje për të gjithë në mënyrë të barabartë, pa diskriminime etnike, religjioze, pakicë apo shumicë etnike. Për të gjitha këto, palët “pro” referendumit bien dakord të vazhdojnë në këtë rrugë të përbashkët, marrëveshje ose traktat i nënkupuar historik, drejt ardhmërisë më të mirë.

Në këtë kuptim, referendumi për çështjen e ndryshimit të emrit, heshturazi shndërrohet në një marrëveshje të re ndëretnike, pavarësisht se opozita maqedonase për shkaqe elektoralo – politike i është kundërvënë ndryshimit të emrit, për arsyet e ngritura në humbjen e identitetit maqedonas. Por në  realitet, siç na është bërë e njohur nga dokumentet e publikuara të “Wikileaks-it”, në të cilat zbardhen bisedat e vitit 2008 të ambasadores së atëhershme të SHBA-ve Gillan Milovanoviq me ish kryeministrin Nikolla Gruevski, ku Gruevski citon një sondazh të partisë së tij dhe tregon se vetëm 13% e maqedonasve do ta mbështesnin një emër të tillë. Megjithatë, sipas Gruevskit me një fushatë dy mujore, populli do të bindej për emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Me ndryshimin e emrit të R.Maqedonisë dhe dispozitat obligative mes palëve, të dala nga marrëveshja me Greqinë, se a do të humbin apo jo maqedonasit – sllavo folës nga identiteti i tyre kombëtar, real apo imagjinar, është çështje irrelevante për shqiptarët, për të mos thënë disi ngushëlluese, nëse këta të fundit vërtet humbin diçka nga identiteti kontradiktor, që me aq sakrifica dhe kosto financiare, e kanë ngritur rrejshëm. Ngushëlluese për faktin e thjeshtë se etnia shqiptare në këtë shtet, që prej formimit të tij, është viktima më e madhe e vazhdueshme e maqedonasve sllavo-folës, për arsyet tashmë të njohura, të cilat arsye u konkretizuan me luftën e armatosur të vitit 2001, por edhe që vazhduan pas 2001-shit, me margjinalizimin e pjesërishëm të etnisë shqiptare, si në të drejta etnike ligjore, ashtu edhe në ndarjen e pabarabartë të buxhetit të shtetit, në çështjet e karakterit fetar dhe kulturor kombëtar.

Po ndodh ajo që maqedonasit sllavo-folës, me lojërat- kurthet identitare që ja kanë ngritur vetes, me kapitulllimin e luftës së 2001-shit, pastaj nevoja për të pasur element shqiptarësh në organizatat e tyre politike, element që bëhet faktorial brenda trupit të tyre politik, por që në të ardhmen mund t`ju shndërrohet në kalë troje (për arsyet e njohura të dëshpërimit elektoral që ndodhin rëndom në këto hapësira, papjekurisë politike, nacionalizmit të karakterizuar ballkanas, ose larg të qenit prej vërteti koncepti i partive qytetare, koncept ky që në të vërtetë duhet të jetë pasojë e barazisë së plotë etnike dhe jo mekanizëm për të arritur barazinë e plotë, sepse lehtë mund të instrumentalizohet vetem si luftë për pushtet), në një mënyrë fillojnë të shlyejnë mëkatet e keqbërjeve të mëdha historike kundrejt shqiptarëve etnik, duke humbur pozicione në shkallë të konsiderueshme.

Turbullirat dhe akrobacitë identitare të maqedonasve, çojnë përfundimisht në identitetin e tyrë të vërtetë, atë të popujve sllav, që siç dihet është etni e ardhur vonë në këto troje. E si rrjedhojë logjike, shqiptarët, pasardhësit e ilirive, do të konsideroheshin të vetmit autoktonë në shtet. Megjithatë, në fund të fundit, bashkëqytetarët sllavo-folës, le të besojnë dhe thirren në cilindo identitet të duan, e kaluara i takon historisë, është e drejtë të besojnë edhe atë se mund të jenë qendra e universit, popull i zgjedhur nga Zoti, e të tjera, tashmë pak rëndësi ka kjo. Parimisht, shqiptarëve u intereson moscënimi i lirive dhe të drejtave, që në rastin e R.Maqedonisë, do të thotë përmbushja sa më e plotë e tyre.

Pala shqiptare si tërësi e plotë e vullnetit “pro” referendumit dhe ajo maqedonase si vullnet i shumicës fituese në elektorat, kanë rënë dakord të mbeshtesin fuqishëm referendumin me një përfundim pozitiv. Ky dakordim i vullneteve të dy etnive të shumicës elektorale, që faktikisht qeverisin shtetin, fuqizon dhe legjitimon traktatin e ri mes etnive. Maqedonasit e bëjnë këtë për tu integruar në mekanizmin evropian dhe të fitojnë në aspektin ekonomik, pavarësisht humbjes së mundshme të identitetit që thirret opozita maqedonase. Në anën tjetër, ne shqiptarët jemi fituesit e shumëfishtë, sepse fitojmë si në aspektin nacional të lirive dhe të drejtave të lartpërmendura, dobisë ekonomike, si dhe planit strategjik. I bashkangjitemi aleatit tonë të madh mbarshqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në aleancën ushtarake të NATO-s.

Nga cilido aspekt, referendumi për ndryshimin e emrit, për shqiptarët, është i mirëseardhur. Ngadalë ngadalë kalojmë në shtetformues të rëndësishëm dhe popull me histori dhe identitet serioz, kundrejt identitetit të hutuar maqedonas. Për të mos u futur pastaj në përllogaritjet e natalitetit dhe mortalitetit, se cilës etni mund ti takojë e ardhmja dhe udhëheqësia e këtij shteti multietnik. Pastaj, skemi pse ta fshehim ambicien për udhëheqje. Në demokraci është e natyrshme dhe legjitime kjo dëshirë konkurruese.

Mbasi çështja është e qartë, domosdoshmëria kërkon aksionin, të lobojmë dhe mbështesim masovikisht referendumin me të gjitha mënyrat ligjore. Pse jo, ata që kanë mundësi edhe të ndihmojnë financiarisht me mjete vetanake, sigurisht të kontrolluar ligjërisht, siç e parashohin dispozitat. Çdo lëvizje për suksesin e këtij referendumi, është akt i lartë patriotik.

Mërgimtarët shqiptarë të gjejnë mënyrat më të mundëshme për të qenë prezent në referendum, pavarësisht kostos financiare dhe lodhjes fizike, ngase është shanc historik të marim gjërat që na përkasin, në mënyrë paqësore dhe demokratike, për ne dhe pasardhësit tanë.

Dikur luftonim me gjak për traktate barazie dhe paqeje ndëretnike, ndërsa tani mund ta bëjmë këtë me një përpjekje të vogël dhe të thjeshtë, të orientojmë vullnetin dhe “duart” për një referendum të suksesshëm, si një traktat i ri nderetnik, dobiprurës. Dashtë i Gjithëpushtetshmi Zot.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button