Haradinaj: Përkrahja e SHBA-së e domosdoshme për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion nga Kongresi Amerikan, të kryesuar nga senatori Ron Johnson, me të cilët ka biseduar për aktualitetin politik dhe zhvillimor të Kosovës dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ai e ka njoftuar senatorin për prioritetet e Qeverisë, progresin në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve në rrugën euroatlantike, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, avancimin e procesit të reformave të gjithanshme të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve, transmeton Koha.net.

Haradinaj ka falënderuar delegacionin amerikan për ndihmën e pakursyer që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve në vend dhe tani në procesin e fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Marrëdhëniet bilaterale miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë treguesi më i mirë se Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht falënderues për kontributin e shtetit mik në zhvillimin e gjithanshëm të shtetit tonë dhe të përkushtuar që ky partneritet të jetë i përjetshëm”, tha Haradinaj.

Në takim është biseduar edhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në INTERPOL dhe dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast Haradinaj ka thënë se përkrahja e ShBA-ve është e domosdoshme në avancimin e këtyre proceseve.

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit politike, Haradinaj, tha se Kosova është e përkushtuar për ndërtimin e relacioneve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe në arritjen e paqes finale me Serbinë.

Senatori amerikan Ron Johnson, duke vlerësuar progresin e Kosovës dhe gatishmërinë e SHBA-së për përkrahjen e Kosovës në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Haradinaj e ka nderuar senatorin Johnson me medaljen e Skënderbeut, në shenjë mirënjohje për kontributit të tij dhënë Kosovës.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button