VV: Dhënia e lejes për Vuçiqin ia rrit Serbisë pretendimet për Kosovën

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka reaguar rreth vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Vetëvendosja thotë se dhënia e lejes për Vuçiqin ia rrit Serbisë pretendimet për Kosovën, transmeton Koha.net. Madje e quan leje të paligjshme, dhe e të rrezikshme për të ardhmen, njofton Koha.net.

“Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë treguar seriozitet sa herë që udhëheqësit serbë paralajmërojnë vizita në Kosovë. Që prej dhënies së lejes për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pushteti në Kosovë po tregon se është i gatshëm të lëshojë pe dhe të bëjë kompromise me Serbinë që i paguan shteti e populli ynë. Kjo leje është e paligjshme, është jolegjitime, e dëmshme për të tashmen dhe e rrezikshme për të ardhmen”, thotë VV, transmeton Koha.net.

Më tutje Vetëvendosje thotë se vizita e tij është shkelje e integritetit territorial të Kosovës, e për këtë e lë përgjegjës presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Vizita e presidentit të Serbisë në Kosovë, qëndrimet dhe veprimet e tij, janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe Republikës sonë. Ato janë shkelje e integritetit territorial dhe institucional të vendit tonë. Por, në të njëjtën kohë, janë edhe kurorëzim i Zajednicës Thaçi-Vuçiq. Aq shumë e ka relativizuar, deri në kontestim, shtetësinë e vendit tonë presidenti aktual Thaçi, saqë e ka krijuar një terren të jashtëzakonshëm për Serbinë këtu. Andaj, sot Vuçiqi mund ta vizitojë Ujmanin, mund ta kujtojë madje në fjalën e tij edhe Millosheviqin, ta përmendë Serbinë e Madhe dhe të zotohet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Krejt kjo, falë pushtetit që ia hap udhën përmes negociatave pa kushte, pa parime dhe pa mandat. Hashim Thaçi e ka bërë të pranueshëm mospranimin e Kosovës andaj sot bëhen me lehtësi deklarata kundër nesh”, thuhet në komunikatë.

Andaj edhe ndodhin protesta në kundërshtim të kësaj vizite, thuhet më tutje në komunikatë. Këto protesta nuk i shkakton vetëm indinjimi ndaj Vuçiqit, por i prodhon edhe pazotësia e institucioneve të Kosovës.

“Kësisoj, HashimThaçit nuk i duhen prova të reja se duke shpërfillur Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk ka fituar asgjë, pos shfaqjen e pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Kosova ka nevojë për udhëheqës të tjerë, të dinjitetshëm, që ia mbrojnë integritetin dhe ruajnë dinjitetin”, thotë VV.

Gjithçka rreth vizitës së Vuçiqit në Kosovë – dita e dytë (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button