Haraçinë, vazhdon mbulimi i kanaleve atmosferike

Kanali atmosferik në rrugën me nr. 12, që drejtpërdrejt  paraqitej si rrezik për qytetarët e kësaj ane, pas mbulimit të një pjese sot përfundimisht filloi edhe mbulimi i pjesës së mbetur. Ky kanal shumë vite ishte pengesë për banorët pasi që gjithë ujërat e zeza të kësaj ane  kalonin në këtë kanal. 

Banorët thonë se në të kaluarën, sidomos në stinën e verës, si pasojë e mospasjes së gypave atmosferik kanali shpërndante shumë erëra të rënda.

“Ky kanal me vite ishte  i hapur dhe në të kalonin ujëra të zeza të cilat shpërndante erëra të rënda sidomos gjatë stinës së verës, ndaj falënderojmë komunën për këtë punë ”, tha një banorë.

Haraçinasit thonë se si pasojë e kanalit të hapur nuk kishte as vend për qarkullimin e këmbësorëve.

Kryetari i komunës, Bastri Bajrami u shpreh se me mbulimin e kësaj pjese të kanalit përfundimisht kanë  vazhduar punimet  për  mbulimin e pjesës tjetër. Sipas tij kanali ishte problem kryesor për këtë anë, ndërsa ishte pengesë edhe për vazhdimin e trotuarit ku këmbësorët do të kenë mundësi qarkullimi të lirë.

“Patjetër se duhet të mbulojmë edhe pjesën tjetër të mbetur të kanalit atmosferik në këtë rrugë,  sepse me vite ka qenë pengesë për banorët. Njëherë do të vendosim gypa atmosferik dhe më pastaj do të tamponojmë sepse, së shpejti do të vazhdojmë edhe ndërtimin e trotuarit në këtë rrugë”, tha Bajrami.

Ai më tej tha se së shpejti edhe në rrugët tjera ku ka kanale atmosferike do të filloje vendosja e gypave dhe më pas do të ndërtohen edhe trotuare./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button