Hammond është i bindur në Brexit me marrëveshje
Ministri britanik i Financave, Philip Hammond ka thënë të premten, se ai është i sigurt që Britania do të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Evropian, teksa përgatitet për t’u larguar nga blloku, transmeton Reuters, përcell REL.
Deklaratat e tij kanë ardhur në kohën kur janë duke u rritur pritshmëritë për një largim të Britanisë pa marrëveshje.
Kjo pasi shefi i Bashkimit Evropian për negociatat rreth Brexitit, Michel Barnier ka thënë se blloku duhet të jetë i përgatitur për një Brexit pa marrëveshje, dhe se Gjermania është duke u përgatitur për të gjithë skenarët, duke përfshirë edhe një të tillë.
Hammond ka paralajmëruar disa herë për dëmin që do të shkaktohej si pasojë e largimit të Britanisë nga blloku në marsin e vitit të ardhshëm në rast se nuk ka marrëveshje paraprake.
“Unë besoj se do të jemi në gjendje të arrijmë një pakt. Është në interesin e 27 vendeve anëtare dhe Mbretërisë së Bashkuar, që Brexiti të përfundojë lehtas në marsin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Hammond teksa ka arritur në Vjenë për të takuar me ministrat e Financave.
I pyetur nëse një gjë e tillë ka mundësi të ndodhë deri në muajin tetor, ai ka thënë se “pa dyshim se do të arrijmë atë”.
Sipas tij plani i kryeministres britanike, Theresa May do të përbëjë bazën e marrëveshjes.