“Tallja me krishtin” nuk mund të prishet, të largohen shtrembërimet (FOTO)

Deputetët për filmin “Tallja me krishtin” kërkojnë të respektohet ligji, kurse profesionistët e kinematografisë vlerësojnë se filmi nuk mund të shpallet i pavlefshëm, por mund t’i hiqen pjesët ku shtrembërohen faktet e konfliktit të 2001, shkruan Portalb.mk

LEXO: Filmi u cilësua si skandaloz, a është bërë shkelje e ligjit në “Tallja me krishtin”?

Meqë ligji për veprimtari filmike në Maqedoni nuk parasheh sanksionim për gjuhën e urrejtjes dhe ofendimet që përdoren në film, u shtrua dilema se a mund të prishet filmi?

Ibër Deari, regjisor
Ibër Deari, regjisor

Sipas regjisorit kinematografik, Ibër Deari pasi që “Tallja me krishtin” ka nisur udhëtimin në festivale, është vonë të shpallet i pavlefshëm.

“Përgjegjësinë për këtë film duhet ta marrin ata që kanë aprovuar skenarin dhe realizimin e filmit. Tani është vonë të ndalet një film i kompletuar, pasi që filmi është duke shëtitur festivalet. Sigurisht, regjisori duke e luajtur rolin e viktimës për filmin e tij, do të shpërblehet me shumë çmime nëpër festivale, si shenjë solidarizimi, se për cilësi dyshoj shumë. Ky regjisor duhet t’i largojë ato skena ku paraqitet UÇK-ja si përdhunues, kurse për pjesën tjetër le të merren vesh njerëzit që e njohin ligjin dhe rregulloren e Agjencisë së Filmit të Maqedonisë”, tha Ibër Deari.

Regjisori Deari topin e zgjidhjes së problemit ia hedh ndërgjegjes së regjisorit të “Tallja me krishtin”, Jani Bojaxhi, ngaqë sipas tij: “Maqedonia është shtet multietnik, dhe shqiptarët janë taksapagues, para me të cilat është financuar edhe filmi. Artisti nuk mund të realizoj çfarëdo që i sillet në kokë, prandaj duhet të ketë përgjegjësi për veprat artistike. Nëse ai ka nxitur urrejtje, duhet të kërkojë falje publike”, tha Deari.

Filmat me prapavijë politike, shkatërruan kinematografinë e Maqedonisë

“Një arsye se pse kinematografia në Maqedoni nuk ka pasur sukses të madh, janë këto filma pa qëllime të pastra artistike, por propaganduese dhe politike”, tha Deari, duke nënvizuar se në të ardhmen duhet të kihet kujdes në përmbajtjen e filmave që financohen.

Deputetët kërkojnë të respektohet ligji, por të jepet përgjegjësi për gjuhën e urrejtjes

“Është një skandal. Por përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet. Mendoj se edhe deklarata e regjisorit, kur flet për lirinë e të shprehurit, nuk ka të bëj me lirinë, e aq më tepër kur shtrembërohen faktet që kanë të bëjnë me konfliktin 2001. Kërkojmë të dënohet ky akt, sepse bëhet fjalë për mjete buxhetore ku taksapagues janë shqiptarët”, tha deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Surija Rashidi.

“Unë dënoj çfarëdo lloj dhune, por gjithashtu e respektoj edhe ligjin, në kuptim të asaj, se askush nuk është fajtor, nëse ajo nuk dëshmohet me procedura ligjore. Gjithkush që ka bërë shkelje ligjore, duhet të përgjigjet, dhe kjo është më me rëndësi se trysnia mediale. Akuzimi para se të sillet vendim gjyqësor, për mua është spekulim. Arti është zgjedhje individuale”, tha deputeti nga Lidhja Social Demokrare e Re, Goran Misovski.

“Kemi reaguar, dhe jemi në atë qëndrim të parë të reagimit. Kemi kërkuar edhe nga Qeveria që të ndërmerr masa që filmi të largohet nga qarkullimi. Nuk është e arsyeshme që Qeveria të thotë jemi takuar, jemi mbledhur, dhe kemi konferencë për media. Nuk është hapë i mjaftueshëm, prej Qeverisë dhe konsiderojmë se Qeveria duhet t’i ndërmerr të gjitha masat për ndalimin e filmit. Mjetet e qytetarëve nuk i takojnë atij filmi”, tha deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ejup Alimi.

Përndryshe, filmi “Tallja me krishtin” është financuar në vitin 2015 nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë, në regji të Jani Bojaxhi. Filmi u cilësua skandaloz pasi që pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare i paraqiti si përdhunues të grave maqedonase. Për filmin reagoi ministri i Kulturës, Asaf Ademi, drejtori aktual i Agjencisë së Filmit të Maqedonisë, Gorjan Tozija, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ish sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi.

LEXO: Zaev: Filmi “Tallja me krishtin” i hapë plagët e Maqedonisë dhe dënohet nga unë
LEXO: Ademi: Do të inspektohet se a është respektuar norma ligjore në film
LEXO: Shehapi: Për herë të parë e shoh filmin “Mocking of Christ”

Filmi me ofendime ndaj UÇK-së, reagime të shumta në opinion (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button