Vuvuzelat e Zhegrës

Refuzimi i qytetarëve të Banjallukës që në hapësirën e gjelbëruar me emrin “Picin Park” të ndërtohet një objekt afaristo-banesor zuri vend në një koment me titull “Lufta për dinjitet”, të botuar në variantin online të magnatit të njohur medial CNN. Prej tri javësh, qytetarë të të gjitha shtresave janë vënë në krah të parkut të gjelbëruar, të cilin armata e betonit dëshiron ta shndërrojë në vend biznesi.

Kësisoj, jehona e problemit të një parku të gjelbër në Banjallukë, kaloi kufijtë lokalë, duke u shndërruar në një aksion qytetar për ta ruajtur dinjitetin. Parku për këta qytetarë nuk paraqet vetëm një vend ku mund të kalojnë pjesë të ditës, por është një trashëgimi shpirtërore, e shumë njerëzve që kanë emocion për vendin ku kanë bërë lojërat e para fëmijërore, njohjet apo takimet. T`ua zëvendësosh parkun me një ngrehinë betoni këtyre njerëzve është njësoj si t`ua hapësh një varr kolektiv.
E ky urbicid, mobilizoi njerëz edhe përtej Banjallukës.

“Keni mbështetje të plotë për këtë park të mrekullueshëm nga studentë e profesorë të universitetit tonë. Sigurimi i trashëgimisë krahas parqeve, natyrës dhe kujtimeve të njerëzve të cilët i kanë shfrytëzuar është obligim yni. Shpresojmë që kërkesat tuaja të realizohen dhe jemi në dispozicionin tuaj ta ndihmojmë fushatën”, kanë shkruar në një letër drejtuar banjallukasve profesorët spanjollë  Vinas Enric dhe  Fernando Alvarez Prozorovich.

Afro një javë pas protestave në Banjallukë, edhe banorë të Zhegrës, janë ngritur në mbrojtje të dinjitetit. Ata kanë shprehur indinjatën për rrugën e fshatit, e bërë sikur t`i kenë rënë bombat kasetore.  

Të kredhur ndërmjet kompetencave, me vuvuzela kanë kërkuar një të drejtë themelore qytetare, siç është infrastruktura rrugore.

Por zëri i tyre nuk arriti në CNN, arriti vetëm deri të asistenti i kryetarit të Komunës së Gjilanit, i cili me lehtësi u ka thënë banorëve se rruga e tyre është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës. Po pse duhet të merren qytetarët me kompetencat? Nëse kryetari i Gjilanit disa herë është takuar me ta, logjikisht ishte dashur të ushtronte presion ligjor ndaj MI-së që rruga e Zhegrës të bëhej e përdorshme për qarkullim. Fundja, pavarësisht se të kujt janë kompetencat, zhegranët duhet ta kenë një rrugë që i plotëson standardet për lëvizje.

Megjithatë, ata dhanë një leksion publik se qytetarët duhet ta ngrenë zërin kur konsiderojnë se po privohen nga një e drejtë themelore, siç është ajo për të pasur rrugë. Kosovarëve në çdo cep të vendit u mungon shumëçka, por fatkeqësisht të ‘imunizuar’ nga neglizhenca e pushtetit, asnjëri nuk përpiqet ta thyejë këtë tabu, të shfryhet, të indinjohet, të protestojë dhe, në mos tjetër, së paku të bëjë të dëgjohet zëri se diku dikujt i është mohuar një e drejtë.

Me të drejtë Stephane Hessel, pjesëtar i rezistencës franceze, diplomat dhe njëri nga autorët e Deklaratës universale për të drejtat e njeriut në esenë e tij me titull ’Indignez-vous’, duke u mbështetur në të drejtën njerëzore, fton njerëzit të indinjohen ndaj padrejtësive.

“Dëshiroj që të gjithë, secili nga ju, të keni arsye për indinjim. Kjo është e çmueshme.  Kur diçka ju zemëron, siç më bëri mua nazizmi, kjo krijon luftëtarë të fuqishëm dhe të vendosur. Me këtë i qaseni rrjedhës historike, e cila duhet të qëndrojë falë neve. Me të, ne sigurojmë më shumë drejtësi, liri, por jo liri të pakontrolluar…Këto janë të drejta, të cilat në Deklaratën Universale për të drejtat e njeriut, të shkruar më 1948 tregojnë se ajo në përgjithësi është ende e vlefshme. Nëse takoni ndokënd që nuk i gëzon këto të drejta, ndihmoni që t`i arrijë ato“.  

Kjo pjesë e esesë së Heselit duhet të jetë inspirim për secilin qytetar kosovar, të cilit i mohohet çfarëdo e drejte qytetare.

Kur s`ka rrymë, kur shtrenjtohet ajo, s`ka ujë, rrugët janë përplot gropa, s`të kthehen 5 centë kusur,  të vonohet pensioni, të vjen fëmija nga çerdhja i përmbytur në urinë, indinjohu!
Shoqëria kosovare përfundimisht duhet zgjohet nga letargjia dhe të përcaktohet për aktivizim qytetar praktik, me veprim konkret, por jo deklarativ.

Në kohën e një oportunizmi të tmerrshëm, më së shumti ky vend ka nevojë për një indinjim ndaj gjithçkaje që nuk funksionon. Prandaj, me të drejtë Hesel, thotë se ekzistojnë disa gjëra ndaj të cilave njerëzit mund të hidhërohen dhe të shfaqin rezistencë.

Në hapësirën mbi Kurriz, një hapësirë e betonuar ku fëmijët e lagjes “Dardania” luajnë, pronari i një kafeneje ka vendosur ta shndërrojë në  tarracë për të pirë makiato. Qytetarët nuk duhet të mendojnë se reagimi në media është i mjaftueshëm për ta ndaluar një veprim që dëmton komunitetin. Thjesht, për hapësirën e dedikuar fëmijëve, ata duhet të ngrihen në protestë dhe të qëndrojnë deri në fund në idenë e tyre se më mirë një hapësirë për lojë fëmijësh nga e cila përfitojnë shumica, sesa një biznes prej të cilit fiton individi. 

Prej qëllimeve nuk duhet sprapsur. Në një sistem ku duhet të përfillet zëri i shumicës, edhe autoritetet duhet ndërrojnë qasjen. Komuna bart përgjegjësi që jep leje pune për biznese blanko, pa marrë parasysh nevojat e banorëve në këtë kuart. E banorët nuk duhet kërkojnë hapësirë të betonuara për lojë fëmijësh, por një kënd të mirëfilltë dedikuar më të vegjëlve.
Kosovës, qytetarëve të saj u duhen më shumë vuvuzela për të lëshuar zë çdoherë, në secilin rast dhe në çdo vend kur cenohet dinjiteti i tyre.

Indinjohuni, në mos tjetër, refuzoni së paku estetikisht! Një Kosovë e zhytur në oportunizëm, në pashpresë e mosreagim nuk na duhet.

Rock bandi i njohur “Troja” ka kohë që këngën e vet “Nuk po muj ma” e ka shndërruar në një himn për një qytetari aktive. Kumtin e “Trojës” po e dëgjojmë, por s`po e ndiejmë. Komoditetin po e gjejmë në konformizëm të përzier me hedonizëm. E, ky konfuzion mendor ka një fund.
“Nuk po muj ma me rrejt veten/hajt se mirë ka me u bo/nuk po muj sytë me i majt mshel/nuk po muj ma terr me pa/”. Jeta e kosovarëve ka një çmim, e ai është dinjiteti.

   

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button