Saraçini dhe Berisha pro BENELUKS-it ballkanik

Formimi i BENELUKS-it ballkanik midis Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi me qëllim të hapjes së tregut të përbashkët prej tetë milionë banorë, shpenzime të ulura transportuese dhe shfrytëzim të Durrësit dhe Tivarit si alternativa për portin e Selanikut, ishte një prej temave të takimit të sotëm midis ministrit të Ekonomisë Valor Saraçini dhe kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Tiranë.

Saraçini dhe Berisha i shqyrtuan mundësitë për tërheqje sa më të madhe të mjeteve nga fondi kinez në vlerë prej 10 miliardë dollarë i dedikuar për investime në Evropën Juglindore, përmes përgatitjes së projekteve të përbashkëta.

“Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme politike, por duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik. Është i madh potenciali për rritje të këmbimit tregtar e cila në katër muajt e parë të vitit arriti vetëm 25 milionë dollarë”, deklaroi Saraçini pas takimit.
Gjatë bisedave me Berishën theks i veçantë është vendosur në bashkëpunimin në infrastrukturë, ndërtimin e rrugëve dhe energjetikë.

“Kompanitë shqiptare janë të interesuara për investim në Maqedoni posaçërisht në hotelieri, ndërtimtari dhe sigurim. Vitin e kaluar investimi i firmave nga Shqipëria ishte 2,5 milionë euro”, tha ministri.

Saraçini theksoi se Maqedonia intensivisht punon në Korridorin 10, por midis prioriteteve është edhe Korridori 8.

Ministri i Ekonomisë Saraçini në kuadër të vizitës në Tiranë pasdite do të takohet edhe me përfaqësues të kompanive nga Maqedonia të cilat punojnë në Shqipëri. Është paraparë edhe takim joformal me përfaqësuesit holdingut turk KURUM rreth nënshkrimit të marrëveshjes për minierën  “Tajmishte” në Zajaz, e cial do të jetë në koncesion të kësaj firme turke.

Lajme të ngjashme

Back to top button