Tetovë, 500 metra rrugë, nuk mund të ndërtohen për 5 muaj (FOTO)

Rruga “Murat Baftiari” ka ngelur e përgjysmuar dhe punët në këtë rrugë janë duke ecur me rritëm shumë të ngadaltë, Komuna e Tetovës thotë se gjithçka është duke shkuar sipas planit, ndërkaq banorët ankohen se disa muaj nuk është mbaruar projekti, shkruan Portalb.mk.

Vetëm pesëqind metra rrugë nuk mund të ndërtohen për më shumë se pesë muaj, gjegjësisht prej 31 marsit –  kjo është gjendja dhe situata në rrugën “Murat Baftiari” në Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se punët janë në afatin e caktuar kohor, dhe se çdo gjë është duke shkuar në bazë të planit.

“Për momentin punimet janë duke u zhvilluar si duhet, në suaza të normales dhe afatit kohor, ka intervenime te disa gypa të cilët duhet të rregullohen dhe të bëhet vendosja e instalimit elektrik sipas projektit e më pas të fillojë edhe tamponizimi i rrugës”, thonë  nga Sektori për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore.

Por në anën tjetër qytetarët vazhdojnë të jenë të irrituar nga ky veprim. Ata pyesin komunën e Tetovës edhe sa kohë u duhet për të ndërtuar një rrugë   dhe janë të bindur se edhe pas pesë muajve punë e njëjta do të ndërtohet me shumë mangësi.

“Nuk mund ta kuptojmë se edhe sa muaj u duhet për të ndërtuar një rrugë, pranvera dhe vera na kaloi në pluhur dhe të bllokuar, nuk mund të dalim as nga shtëpia jonë, nëse vetëm për një rrugë punët zgjasin aq shumë  mund të mendojnë se sa kohë do t’u duheshin për punë më të mëdha” thotë Samir Beqiri.

Nga Komuna  e Tetovës edhe gjatë muajit korrik premtuan se shumë shpejtë kjo rrugë do të përfundojë, por që nga atëherë e deri më tani dhe vetë fotot tregojnë se ne këtë rrugë nuk është punuar asgjë. Gjatë asaj kohe u premtua se do të bëhet rregullimi i tërësishëm i rrugës në gjatësi prej 520 metra, gjerësi 6 metra dhe trotuare nga të dyja anët me gjerësi 2 metra.

“Me rregullimin e rrugës është paraparë edhe ndërtimi i kanalizimit atmosferik F400 dhe gjatësi prej 600 metrave. Rruga e re do të ketë edhe ndriçim modern LED, me shtylla ndriçuese me gjatësi prej 9 metrave. Gjithashtu gjatë rikonstruimit të rrugës do të bëjmë edhe ndërrimin e gypave të ujësjellësit që të evitohen defektet e mundshme  në të ardhmen”, u tha në njoftimin e Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button