Pa referendum të suksesshëm në Maqedoni, anëtarësimi në NATO iluzion (FOTO+VIDEO)

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mbaruar vizitën dyditore në Shkup, për të dhënë porosinë e Aleancës Veriatlantike në periudhën para referendumin që duhet të mbahet në fund të këtij muaji. Porosia nga NATO ishte e qartë – Nuk ka anëtarësim në NATO të Maqedonisë, nëse referendumi për çështjen e emrit nuk është i suksesshëm. Ose siç tha më direkt Stoltenberg, duke iu referuar qëndrimeve “kundër” të presidentit Gjorge Ivanov dhe opozitares VMRO-DPMNE – “është iluzion të mendohet anëtarësimi në NATO, nëse jeni kundër marrëveshjes për emrin”. 

Më poshtë në kronologji mund ta shihni vizitën e sekretarit Stoltenberg në Shkup.

15:00 Zaev – Stoltenberg

Kjo është mundësi historike e papërsëritshme, andaj populli të dalë masivisht në referendum dhe të deklarohet për anëtarësimin e vendit në Aleancën më të suksesshme historike, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

Stoltenberg deklaroi se NATO dëshiron ta sheh Maqedoninë e suksesshme, dyert janë të hapura, por megjithatë populli do të vendos për anëtarësimin.

“Zotëri Zaev, dua të të falënderoj për lidershipin tënd dhe guximin në lidhje me Marrëveshjen e Prespës. Referendumi do të mbahet dhe ky është vendim i juaj, i inkurajoj votuesit që të dalin masivisht. Kjo është një mundësi historike që të përforcohet paqja dhe stabiliteti. Nga ana tjetër, prej kur Mali i Zi ka hyrë në NATO, investimet në atë vend dyfish janë rritur, për atë jemi të gatshëm që ta pranojmë vendin tuaj si vende e 30-të e NATO-s pas mbarimit të procedurës. Ne duam që ta shohim Maqedoninë të suksesshme. Dyert e NATO-s, janë të hapura dhe populli mund ta bëj atë, pra ardhmëria është në duar të juaja”, deklaroi Stoltenberg, duke nënvizuar se rrugë tjetër, pos pranimit të marrëveshjes nuk ka.

Zaev - Stoltenberg
Zaev – Stoltenberg

Në pyetje gazetareske, Stoltenberg deklaroi se sot është takuar edhe me kryetarin e opozitës, Hristijan Mickoski dhe presidentin Gjorge Ivanov, të cilët janë kundër marrëveshjes për emrin dhe i ka porositur që nuk mundet që të presin anëtarësim nëse Maqedonia nuk e realizon marrëveshjen.

“Kjo është mundësi historike për këtë vend, bëhet fjalë për mundësi të papërsëritshme të bëheni anëtare të bashkësisë ndërkombëtare, por për ta bërë atë, patjetër duhet që të pajtohemi me marrëveshjen për emrin, nuk ka rrugë tjetër për anëtarësim në NATO. Dikush mendon që mundet të thotë “po” për anëtarësim dhe jo për referendumin, por nuk ka mundësi të tillë. Është iluzion i plotë që të mendohet se nëse thoni “jo” për marrëveshjen dhe “po” për anëtarësim, do të bëheni pjesë e NATO-s, duhet t’i thuhet “po” marrëveshjes për emrin dhe “po” anëtarësimit, që të anëtarësoni”, ka deklaruar Stoltenberg.

Zaev - Stoltenberg
Zaev – Stoltenberg

Nga ana tjetër, kreyeministri Zoran Zaev, i ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në referendum për të vendosur për ardhmërinë e Maqedonisë, ndërkaq pas mbarimit të referendumit të 30 shtatorit do të vijojnë ndryshimet kushtetuese, për të cilat janë të nevojshme 2/3 e shumicës parlamentare.

“I ftoj të gjithë qytetarët që të dalin më 30 shtator dhe të deklarohen për ardhmërinë e Maqedonisë. Ndryshime kushtetuese pa anulime, procesi patjetër duhet që të mbarojë në kohë që ta marrim vendin e merituar në NATO. Ne do të kontaktojmë vazhdimisht me zyrën e NATO-s në Shkup dhe do të shkojmë hap pas hapi”, tha Zaev.

Ai shtoi se është i sigurt që do të arrihet census, madje dhe do të kalojë me sukses i tërë procesi i referendumit.

Stoltenberg - Zaev
Stoltenberg – Zaev

LEXO: Stoltenberg: Dyert janë të hapura, por mos prisni anëtarësim pa zbatimin e Marrëveshjes për Emrin

12:15 – Stoltenberg – Georgievski

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka realizuar takim në rajonin e Stajkovcës, në vazhdën e dy vjetorit nga vërshimet e mëdha ku humbën jetën 23 persona. Duke vlerësuar se Stajkovci është rindërtuar pasi që qytetarët kanë shikuar drejt ardhmërisë, Stoltenberg ka bërë apel që me të njëjtin qëllim të votohet edhe në referendum, transmeton Portalb.mk.

“NATO para dy vjetësh ishte këtu që të ju ndihmojë. NATO vazhdon të jetë këtu dhe të ju ndihmojë edhe më tej dhe të ju pranojë si anëtare e NATO-s. I pash fotografitë e gjendjes nga vërshimet, por njëkohësisht i pash edhe fotografitë e ushtarëve të NATO-s se si ju ndihmojnë në tejkalimin e katastrofës. Më vjen mirë që qenka rindërtuar Stajkovci, dhe që shihni në të ardhmen. Ju vetë mund të vendosni për ardhmërinë tuaj. Unë e di që për dy javë para jush është referendumi dhe ju sërish duhet të vendosni për ardhmërinë tuaj. Dhe sërish tek ju është vendimi se si do të votoni për ardhmërinë e shtetit tuaj, kurse ne, NATO-s është vendimi që të ju pranojmë si anëtarë të aleancës”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg u prit nga kreu i Gazi Babës, Boris Georgievski ndërkohë që përshëndeti edhe qytetarët e rastit të cilët kishin dalur ta falenderonin për ndihmën që NATO ua dha gjatë vitit 2016. Georgievski i ndau edhe mirënjohje Stoltenbergit.

“Faleminderit shumë që ishit i pranishëm në vendin e ngjarjes kur ndodhën vërshimet. Jeni bindur edhe vetë se çfarë ka ndodhur në atë periudhë. Këto janë disa fotografi nga momenti tragjik. Faleminderit shumë edhe për profesionalitetin që e treguat në atë kohë. NATO paraqet partner i sigurt, dhe se jam i sigurt se Maqedonia do të pranohet dhe do të jemi shteti i ri i aleancës së NATO-s”, tha Georgievski.

11:15 – Stoltenberg – Shilegov

Në shenjë falënderimi ndaj diplomatit nga Norvegjia Torvald Stoltenberg, për ndihmën që i ka dhënë Shkupit gjatë tërmetit të 1963-tës rruga që e lidh Parkun e Qytetit, Stadiumin e Qytetit dhe Shëtitoren e lumit Vardar do ta mbajë emrin “Rruga Stoltenberg”, njofton Portalb.mk.

Në hapjen solemne, me rastin e iniciativës për emërimin e rrugës, sot ka marrë pjesë kryetari i Qytetit të Shkupit dhe babai i diplomatit nga Norvegjia, përndryshe sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet për vizitë dyditore në Shkup ku do të realizojë biseda me kreun shtetëror përpara mbajtjes së referendumit për çështjen e emrit më 30 shtator, rezultati i të cilit do të jetë vendimtar për anëtarësimin ose jo të Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.

“Emërimin e rrugës dhe këtë tabelë ia jap sekretarit gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, që të dijë se çfarë ka bërë babai i tij për këtë qytet, asnjëherë nuk do të harrohet”, deklaroi Shilegov.

Nga ana tjetër, Stoltenberg, i është falënderuar kryetarit të Shkupit Shilegov, për këtë iniciativë dhe shprehi kënaqësi që Shkupi dhe banorët e saj e kujtojnë babain e tij për përpjekjet e rindërtimit të Shkupit pas tërmetit të vitit 1963.

“Shkupi ka pasur vend të posaçëm në zemrën e babait tim, për shkak të afërsisë me qytetin pas tërmetin katastrofik të vitit 1963. Ai ishte i nderuar për shpalljen e qytetarit të nderit në Shkup dhe jam i sigurt se do të kishte kënaqësi të madhe që një rrugë në Shkup do të emërohet me emrin e tij”, tha Stoltenberg.

LEXO: Rruga afër Stadiumit të Shkupit u emërua “Stoltenberg”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me takimin me shefin e shtetit, Gjorge Ivnaov, e ka filluar serinë e bisedimeve të sotme me kreun shtetëror, njofton Protalb.mk.

Presidenti gjatë takimit ka theksuar se Maqedonia është e përkushtuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit dhe kontribuon për sigurinë brenda dhe jashtë rajonit tonë.

Ivanov ka theksuar se Maqedonia në vazhdimësi tregon se është partner i besueshëm dhe aleat strategjik i NATO-s, duke shtuar se në vitin 2008-të Maqedonia i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në NATO dhe gjithë këto vite aktivisht ka kontribuuar në misionet ndërkombëtare paqësore dhe e meriton anëtarësimin në NATO pa kushte plotësuese.

“Besoj që vendi i vërtetë i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe NATO. DO të vazhdoj që t’i përkrah qëllimet tona strategjike. Por, BE dhe NATO në asnjë rast nuk guxojnë që të jenë alibi për marrëveshje të keqe”, ka porositur presidenti Ivanov.

Ai gjithashtu ka thënë se të gjithë obligimet e tij si komandat suprem i forcave të armatosura në vend në lidhje me mbrojtjen janë mbaruar dhe se ARM i ka plotësuar të gjitha detyrat dhe ka arritur që të tregojë se është partner i barabartë me armatat e vendeve anëtare të NATO-së si në trajnime, po ashtu edhe në praktikë gjatë zbatimit të operacioneve.

LEXO: Ivanov i ka thënë Stoltenbergut: NATO dhe BE nuk guxojnë të jenë alibi për marrëveshje të keqe

10:00 – Stoltenberg – Mickoski

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot ka realizuar takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, njofton Portalb.mk.

Nga partia informojnë se në takim është folur për ndodhitë aktuale në vend, për Marrëveshjen me Greqinë dhe referendumin që duhet të mbahet më 30 shtator.

“Mickoski ka theksuar se VMRO-DPMNE e përkrahë integrimin e vendit në NATO, dhe se anëtarësimi në këtë organizatë, si dhe anëtarësimi në BE janë në interes strategjik të vendit. Njëkohësisht Mickoski ka theksuar se Marrëveshja me Greqinë është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në dhe është jashtë parimeve të njohura. VMRO-DPMNE ngelet në qëndrimin për mospranim të kësaj marrëveshje”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Partia opozitare vlerëson se pushteti duhet që të përkushtohet në përmirësimin e fushave reale të jetës, të cilët janë me rëndësi thelbësore për qytetarët, ndërkaq sipas tyre, aty ka ngecje të madhe me numër të madh të aferave dhe dyshimeve për keqpërdorim.

“Në lidhje me qëndrimin për referendumin, VMRO-DPMNE po mbaron me procesin e konsultimeve të gjera dhe javën e ardhshme do të mblidhet Komiteti Qendror dhe Ekzekutiv i partisë”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

LEXO: Mickoski u takua me Stoltenbergun: Jemi për NATO, s’kemi qëndrim për referendumin

9:30 – Stoltenberg – Xhaferi

Në kuadër të vizitës zyrtare të Republikës së Maqedonisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolltenberg, realizoi takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

Stolltenberg e përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes me Greqinë dhe vlerësoi se NATO nuk detyron asnjë shtet të bëhet anëtare e saj, dhe se respekton vendimin sovran të qytetarëve në referendum.

“Për finalizimin e procesit, nevojitet ratifikim në parlamentet e 29 vendeve anëtare të Aleancës, i cili do të realizohet pasi të përfundojnë të gjitha obligimet lidhur me implementimin e Marrëveshjes, përkatësisht miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Aleanca nuk detyron asnjë shtet të bëhet anëtare e saj, dhe se respekton vendimin sovran të qytetarëve në referendum, qoftë pozitiv ose negativ. Bëje me dije se hyrja në Aleancë gjithmonë sjell përfitime të mëdha për qytetarët, jo vetëm në aspekt të sigurisë, por edhe përfitime ekonomike, rritje të investimeve të huaja dhe stabilitet shoqëror afatgjatë”, tha Stoltenberg.

Xhaferi – Stoltenberg

Kryetari Xhaferi shprehu falënderim të madh ndaj sekretarit të përgjithshëm Stolltenberg për angazhimin dhe mbështetjen e tij personale ndaj Republikës së Maqedonisë në marrjen e ftesës për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO në Samitin e Brukselit.

“Shpresoj se do të ketë sukses referendumi dhe se qytetarët do ta vërtetojnë përcaktimin e tyre për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, sepse referendumi duhet shikuar si udhërrëfyes i së ardhmes, e jo i së kaluarës. Në kontekst të përpjekjeve të përgjithshme të Republikës së Maqedonisë për ta arritur qëllimin – anëtare e plotfuqishme e NATO-s, kontribut të madh ka edhe dimensioni parlamentar, për të cilin dëshmon mbajtja e Seminarit të suksesshëm Ros-Rot në Shkup, para Samitit të NATO-s”, tha Xhaferi.

Në takimin ishin të pranishëm koordinatorët e Grupeve parlamentare në Kuvendin, Sonja Mirakovska, Dragan Danev, Ejup Alimi dhe Afrim Gashi, si dhe kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Hari Llokvenec.

LEXO: Stoltenberg Xhaferit: NATO nuk detyron asnjë shtet të bëhet anëtare e saj (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button