Kosovë, seanca shtyhet për të mërkurën në orën 14

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli njoftoi gjatë një konference për mediet të mbajtur në hollin e Kuvendit pas dështmit të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, se ajo do t’i vazhdojë punimet të mërkurën në orën 14:00. Ai theksoi gjithashtu se, mospjesëmarrja e deputetëve të opozitës në seancën e sotme ka dëmtuar shtetin e Kosovës, transmeton Top Channel.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur këtë të martë me kërkesë të qeverisë nuk është zhvilluar, edhe pse u shty tre herë nga mëngjesi deri pasdite. Edhe ata pak deputetë që pritën për mbi një orë në sallën e Kuvendit të Kosovës u larguan, pasi punimet e parashikuara për të filluar në orën 18:30 nuk nisën.

E ndërsa interesi i medieve të Kosovës ishte i madh, asnjëri prej deputetëve të larguar në fund nuk folën, përveçse thanë nën zë “natën e mirë”, duke lënë të kuptohet se seanca nuk do të mbahej gjatë ditës së sotme.

Seanca e thirrur jashtë radhe nga qeveria ishte për miratimin e ekipit qeveritar për negociatat me Serbinë, që sipas propozimit të kryeministrit Haradinaj do të udhëhiqet nga zv.kryeministri Fatmir Limaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button