Peshkatari palestinez ka ndërtuar barkë me shishe plastike për të siguruar jetesën (FOTO)

Një palestinez në Rripin e Gazës, rajon i përfshirë nga varfëria dhe papunësia për shkak të bllokadës së Izraelit, ka ndërtuar një barkë prej shisheve të mbetura të plastikës në mënyrë që të sigurojë jetesën e familjes së tij duke gjuajtur peshq, raporton Anadolu Agency (AA).

Muadh Abu Zayd, 35 vjeçar nga qyteti Rafah në jug të Rripit të Gazës, ka mbledhur mbi 700 shishe të hedhura të plastikës për t’i lidhur dhe bërë një barkë të cilën do ta përdorë për të zënë peshq.

Abu Zayd, baba i katër fëmijëve, thotë se motivi që e ka shtyrë drejt kësaj ideje ka qenë mungesa e alternativave në rajon, ku varfëria arrin shkalla shumë të larta. Këtë ide e ka parë në rrjetin e videove Youtube, duke bërë disa shtojca.

Ai tregon se ka përvojë 11-vjeçare si peshkatar, ndërsa thotë se njerëzit kanë mbetur të habitur kur për herë të parë e ka lëshuar barkën në det.

“Ata që më panë për herë të parë, menduan se si do t’u rezistoja valëve të forta me një barkë të thjeshtë. Megjithatë, përvojat e mia të suksesshme në lundrim në det i mënjanuan pikëpyetjet në kokat e njerëzve”, shprehet peshkatari palestinez.

Siç rrëfen ai, njerëzve u ka pëlqyer barka prej shisheve, ndërkohë që thotë se dëshiron ta zhvillojë dhe përmirësojë tutje atë në mënyrë që të shkojë në vende edhe më të distancuara në det, pasi aktualisht lundron në distanca të shkurtra.

Sipas raportit të vitit 2017 të Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave, shkalla e papunësisë në Rripin e Gazës me afër dy milionë banorë arrin në 53 për qind.

Ndërkaq, sipas të dhënave të vitit të kaluar të OKB-së, 80 për qind e popullatës në Gaza ka nevojë për ndihmë ndërkombëtarë për të jetuar për shkak të varfërisë dhe papunësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button