T’i kujtojmë mësuesit tonë

(Respekt për mësuesit Hysni Abdullahu, Sejdi Idrizi dhe Efraim Salihu)

Në shkretëtirën që krijoi pushteti i viteve të pasluftës, në Sllatinë u paraqitën dhe u veçuan për nga angazhimi  atdhetar dy intelektualë:  Hysni Abdullahu dhe Sejdi Idrizi. Ishin mësues. Po jo vetëm kaq. Ata ishin pishtarë që  bënin dritë në errësirën e thellë që krijoi pushteti i atëhershëm antishqiptar. Që nga fillimi i ndjekjeve që i bëheshin popullit  dhe kulturës shqiptare Hysniu dhe Sejdiu u vunë në ballë të qëndresës kundër shtypjes dhe kështu u dëshmuan sllatinasve e banorëve të fshatrave të tjera se pushteti i ri jugosllav nuk e solli lirinë e propaguar, por e shtoi edhe më shumë shtypjen, duke mohuar të drejtat kombëtare shqiptare, si më parë. Angazhimi i tyre për rezistencë i hapi horizontet e reja prej nga shihej se në liri jetohet, kurse në kushtet jetësore që solli pushteti i ri në fakt për çdo ditë vdisej nga pak, se në liri shijohet drita e diellit, kurse realitetin të cilin e krijoi pushteti komunist jugosllav e maqedonas në fakt ishte një greminë e errësirës dhe robërisë. Fjala e tyre dilte nga burimet më të pastra kombëtare. Prandaj populli, veçmas rinia, u vetëdijësua se nuk ishin turq të cilët duhej të shpërnguleshin për Turqi, por se ishin shqiptarë të cilët jetonin në vatrat e tyre stërgjyshore, ku pushtetet e mëparshme kishin bërë çmos që të na asimilonin, duke hedhur gjuhën tonë në margjina të jetës shoqërore dhe duke përkthyer toponimet dhe mikrotoponimet shqiptare. Këto forma veprimi do ta sillnin harresën kolektive, si hyrje në asimilimin e plotë.

Pushteti e burgosi mësuesi Hysni Abdullahun për shkak të qëndrimit të tij atdhetar dhe kombëtar. Ai i kaloi tri vjet në zandanet e Idrizovës. Ndërkaq bashkëveprimtarin e Hysniut, mësuesin Sejdi Idrizi milicia e atëhershme do ta burgoste tre vjet më pas, në vitin 1955, duke ia lidhur duart me pranga para nxënësve të tij në shkollën e përbashkët fillore të fshatrave Klloxhë dhe Përshevcë.

Këto masa drakonike nuk ndikuan fare te këta arsimtarë atdhetarë. Ata vazhduan misionin e tyre duke e shpaluar kuptimin e lirisë dhe duke e zbërthyer bukurinë e saj përmes arsimit.

Duke komunikuar me rininë për gjëra në shikim të parë të thjeshta dhe duke i vendosur ato në mozaikun e lirisë, mësuesit Hysni Abdullahu dhe Sejdi Idrizi shkonin drejt realizimit të idesë së tyre, kurse vetë u bënë simbol i idealistëve të rinj që dolën nga mësimet e tyre.

Nxënësit e shumtë të këtyre dy iluministëve u bënë pasardhës të veprës së tyre. Ata e morën brengën për liri mbi shpatullat e veta me tërë barrën që ka. Me të merrnin frymë, me të lëviznin., duke e ngritur brengën shqiptare në një ëndërr e cila duhet të realizohet domosdo.

Ndër pasuesit e veprës së ndritshme të iluministeve Hysni Abdullahu dhe Sejdi Idrizi, do të dallohet mësuesi i mirë Efraim Salihu, i cili tërë jetën e tij jo fort të gjatë e kaloi duke e çuar më tutje idealin e paraardhësve të vet. Puna e tij e idealistit u kurorëzua me nxjerrjen e shumë gjeneratave të nxënësve, por, njëherësh edhe me shkollimin e fëmijëve të tij, ndër të cilët sot janë të  njohur Urim Salihu, gazetar dhe veçmas Salajdin Salihu, profesor universitar, poet i dalluar, eseist, dramaturg e përkthyes.

Fatkeqësisht edhe sot emrat e këtyre veprimtarëve nuk janë të mbrojtur. Asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë institucion s’e mban emrin e tyre. Duket se dikush dëshiron t’i hedhë në humnerën e harresës. Po.

Mirëpo ne që e japim si dhuratë votën tonë, duhet t’i mbrojmë këto figura të rëndësishme të arsimit e të kulturës sonë. Sepse, detyra më e rëndësishme e kulturës së një populli është të luftohet harresa.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button