Nëse dështon referendumi, në Maqedoni kthehet kriza politike dhe ekonomike

Maqedonia ka perspektivë euroatlantike, dhe kjo duhet të rrumbullakohet duke marrë referendumi dritë jeshile. Nëse referendumi nuk ka sukses, sërish do të kemi krizë ekonomike, politike dhe sociale, të cilat erdhën si rezultat se Maqedonia ishte e bllokuar gjatë viteve të kaluara, shkruan Portalb.mk.

Nën organizimin e Institutit për Politikë Evropiane, Qendrës për Analiza Ekonomike dhe me përkrahje të Ministrisë për Punë të Jashtme të Gjermanisë, në Shkup u mbajt konferenca: “Perspektivë euroatlantike për Maqedoninë?”.

Helbah – Dimitrov

Përfaqësuesi special i Evropës Juglindore dhe Turqisë, Kristian Helbah, deklaroi se Maqedonia ka perspektivë euroatlantike, dhe prandaj duhet të mos mbetet këtu, por të zbatohet marrëveshja Maqedoni – Greqi. Sipas Helbah, nënshkrimi i marrëveshjes, është lajmi më i mirë që ka ardhur nga Ballkani Perëndimor.

“Maqedonia ka perspektivë euroatlantike, e cila ka qenë e bllokuar për mos thënë për 12 vjet për shkak të problemit me emrin. Kjo e ka kthyer shtetin tuaj prapa, por edhe ka qenë e dhimbshme për ne. Gjermania ka interes për afrim të Maqedonisë dhe Ballkanit Perëndimor me BE-në, prandaj ne jemi të lumtur që Maqedonia zgjodhi problemin me emrin. Marrëveshja mund të konsiderohet si lajmi më i mirë që ka ardhur nga Ballkani Perëndimor, por kjo duhet të kalojë në disa procese që të jetë e realizueshme. Për këtë duhet të apeloj që kjo të mos mbetet këtu, sepse është arritje historike dhe duhet të përmbushet. Nuk ekziston plan B, kurse të tjerat janë hipoteza. Dhe prandaj ju duhet tash të vendosni, në të kundërtën ju sërish do të jeni të bllokuar”, tha Helbah.

LEXO: Helbah: Ju edhe më tej do të jeni maqedonas

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov vlerësoi se referendumi do të ketë sukses, pasi që qytetarët si në zgjedhje, edhe tash do të zgjedhin me mençuri.

“Unë jam i bindur se referendumi do të ketë sukses. Kohës së fundit shohim anketa të mjaftueshme, disa u publikuan disa jo. Ne gjithmonë kur jemi në udhëkryq, zgjedhim me mençuri. Mendoj se kështu do të jetë edhe në këtë situatë”, tha Dimitrov.

LEXO: Ministri Dimitrov i quan spekulime lajmet për zgjedhje të reja në Maqedoni

Nga ana tjetër, drejtori i programit ekonomik i Qendrës për Zhvillim Demokratik të Bullgarisë, Rusllan Stefanov deklaroi se perspektiva euroatlantike e Maqedonisë është këtu, dhe për këtë nuk ka opsion tjetër.

“Proceset evroatlantike janë këtu, dhe nuk ka nevojë për opsion tjetër. Gjatë procesit të Bullgarisë, BE ka qenë e hapur dhe transparente, dhe ata u sjellën shumë mirë. Prandaj nuk duhet të mendojmë për këtë pjesë, por të fokusohemi në atë çfarë duan qytetarët dhe sipërmarrësit, dhe ajo është sundimi i së drejtës dhe lufta me krimin”, tha Stefanov.

Ndërkaq deputeti nga radhët e partisë opozitare maqedonase, Nikolla Popovski tha se Maqedonia ka perspektivë evroatlantike, por cilësia e jetës, demokracia dhe stabiliteti ekonomik duhet të jenë shtyllat prioritare të Qeverisë së Maqedonisë, nga e cila kërkoi të jetë më vetëkritike.

“Duhet të dalim nga traseja për krijimin e miteve, atëherë ne duhet të jemi vetëkritik. Duhet të pranojmë gabimet. Nuk mund të thuhet se ne do të hymë ne NATO dhe BE dhe tjetër kush do të na i zgjidh problemet. Ju do të hyni në BE, dhe për këtë duhet të përgatitemi. Duhet të jemi më vetëkritik, dhe nuk duhet ta lemë në atë pikë, që gjithçka që shkon keq, të na e zgjedh BE-ja”, tha Popovski duke potencuar se cilësia e jetës, stabiliteti ekonomik dhe demokracia e mirëfilltë duhet të jenë prioritet i Maqedonisë.

Përndryshe, kjo konferencë vjen në periudhën kur në Maqedoni ka nisur fushata për referendumin që do të mbahet më 30 shtator dhe në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button