Avantazhet e anëtarësimit në NATO

Gjatë muajve të fundit  kudo që ndodhemi, nëpër vende të punës, nëpër kafene, nëpër oda, në debate televizive, nëpër forume të ndryshme, në press konferenca të ndryshme, në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur po flitet për “Referendumin”.
Si duket, si jo rrallë herë në vendin tonë shumë tema të rëndësisë së veçantë shkaktojnë huti tek qytetarët nga mungesa e informacioneve, sepse interpretimi apo bishtnimi i temave të tilla është nga më të ndryshmet. Kështu që njëri grup e paraqesin si fitore të demokracisë, disa të tjerë si fundi i botës, disa si lëshim i njërës palë ndaj palës tjetër, e kështu me radhë.
Të ndodhur para një situate të tillë edhe Kuvendi i shtetit formoi tre lloje të grupeve të aktiviteteve për deputetët që kanë të bëjnë me fushatën e çështjes në fjale edhe atë:
-grupin e deputetëve që janë PËR;
-grupin e deputetëve që janë KUNDËR dhe;
– grupin e deputetëve që janë për BOJKOT të Referendumit.
Në shtetet demokratike të botës dhe në drejtësi Referendumi paraqet një procedurë dhe mjet juridik elektoral, ku qytetarët ftohen që drejtpërdrejtë të votojnë për një propozim të caktuar. Duke mos dashur që të lëshohem më në detaje edhe për llojet e referendumeve qe ekzistojnë në botën demokratike, sepse nuk janë aktuale për kohën nëpër të cilën po kalon vendi, por mund vetëm të ceki se Referendumi i thirrur në Maqedoni për më datë 30 shtator 2018,është një çështje mjaftë komplekse që kërkon ekspertizë dhe interpretim të saktë të propozimit(pyetjes) së Referendumit, duke mbyllur çdo zbrazëtirë juridike apo edhe historike që çështja në fjalë të mos marrë elemente populiste dhe emocionale nga interpretues të ndryshëm të cilët jo rrallë herë dinë ti bishtnojnë gjërat në momente të caktuara dhe me qëllime të caktuara.
Prandaj, suksesi i Referendumit për Maqedoninë është garancë për ulësen e 30-të në NATO dhe NATO është garancë për mbrojtjen kolektive për të gjithë anëtarët e sajë.
Si qytetarë i këtij vendi me përkatësi etnike shqiptare do të paraqes avantazhet e suksesit të Referendumit dhe anëtarësimit të vendit në NATO. Me anëtarësimin e vendit në NATO, për shqiptarët në vend do të mbyllet një kapitull i gjatë i tragjedive dhe persekutimeve etnike, fetare dhe politike.
E them këtë sepse:
1.Me një Maqedoni ne NATO, shqiptarët do të jenë meritorët dhe shtylla kryesore për mbajtjen e vendit në binarët euro-atlantik;
2.Me një Maqedoni në NATO, do të mbyllen të gjitha shtigjet për përsëritjen e rasteve si SOPOTI, ku qëllimi i vetëm i atij rasti ishte etiketimi i shqiptarëve si terrorist etnik dhe kundër perëndimor;
3.Me një Maqedoni në NATO, do të mbyllen të gjitha shtigjet për përsëritjen e rasteve si MONSTRA, ku qëllimi i vetëm i atij rasti ishte etiketimi i shqiptarëve si terrorist fetar dhe kundër perëndimor;
4.Me një Maqedoni në NATO, mundësit për spastrime të qyteteve nga elementi shqiptarë do të jenë minimale. Pra, do te kemi më pak raste si Manastiri, Ohri, Velesi, Dollneni, Prilepi, Gjorce Petrovi, Luboteni,etj.;
5.Me një Maqedoni në NATO, mundësit që edhe më tej të kemi shqiptarë të privuar nga e drejta e shtetësisë do të jenë absurde dhe të pa qëndrueshme;
6.Me një Maqedoni në NATO,do të zhduket etiketimi famëkeq i përdorur me shekuj ndaj shqiptarëve si element destabilizues.
Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto avantazhe dhe jo vetëm këto, të anëtarësimit të vendit në NATO, është absurde dhe jo e kohës të hapim debate për identitetin tonë gjuhësor dhe etnik sepse një problematik e tillë për shqiptarët nuk ekziston. Në fund të fundit çështjet e tilla ka kush i mbron sepse gjuhës shqipe dhe identiteti shqiptarë ka kush u del zot. Obligimi i shqiptarëve për tu mobilizuar që Referendumi të ketë sukses buron edhe nga fakti se Shqipëria është anëtare e NATO-së, Kosova de facto është anëtare e NATO-së, sepse në territorin e sajë ndodhet njëra ndër bazat më të mëdha ushtarake të NATO-së, Mali Zi anëtare e NATO-së dhe tani natyrshëm anëtarja e 30-të duhet të jetë Maqedonia. Dhe, në momentin kur vendi do të anëtarësohet në NATO dhe ta gëzojmë avantazhin numër gjashtë të cekur më lartë atëherë vjen në shprehje aftësia për të menaxhuar me institucionet shtetërore duke forcuar edhe më tej pozitën e shqiptarëve në vend. Në kontinuinitet koha do të paraqesë nevoja të reja të të gjitha sferave për shqiptarët por këto nevoja pastaj do të varen nga aftësia e jonë për shtet dhe zhvillim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button