Nxënësit e Novo Sellës së Bogovinës nuk e filluan vitin shkollor, ende nuk është ndërtuar shkolla e djegur (FOTO)

Nxënësit e shkollës së Novo Sellës së Komunës së Bogovinës, sot nuk kanë filluar vitin shkollor si bashkëmoshatarët e tyre për shkak se shkolla e djegur në tetor të vitit 2017-të ende nuk është rregulluar dhe nuk ka kushte për mbajtjen e mësimit, shkruan Portalb.mk.

Banorët e këtij fshati, sot në orët e paraditës kanë mbajtur protestë prej orës 09 deri në orën 11, me kërkesë që shkolla të rregullohet me qëllim që nxënësit t’u kthehen bankave shkollore me kushte normale.

Foto arkiv nga shkolla e djegur në Novo Sellë
Foto arkiv nga shkolla e djegur në Novo Sellë

31 korrik të këtij viti, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, ka deklaruar se është hapur procedurë për furnizim për vënien në funksion të Shkollës Fillore “11 Tetori” në fshatin Novo Sellë, në fshatin Bogovinë. Megjithatë, ministri Ademi nuk bëri të ditur se kur do të jetë funksional objekti i shkollës.

“Jemi në fazë të evoluimit të dokumenteve që kanë të bëjnë me përgatitjen e dokumentacionit. Në këtë moment që po flasim, kemi dy furnizime që janë në rrjedhë e sipër. Furnizimi i parë ka të bëj me dokumentacionin teknik, furnizimi i dytë me revizionin. Pasi të përfundojnë këto furnizime, pa humbur kohë do të shpallim furnizimin e tretë, që ka të bëj me realizimin e punimeve për rikonstruimin e kësaj shkolle. Shpresojmë, besojmë dhe maksimalisht do të angazhohemi që sa më shpejtë të rikonstruhet ajo shkollë”, deklaroi më 31 korrik ministri Ademi.

Për shkollën në fjalë, kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka bërë apel deri te Ministria së Arsimit dhe Shkencës që urgjentisht të fillojë shkollën fillore në Novo Sellë.

“Për dallim nga vendbanimet tjera të komunës tonë, për fat të keq bashkëmoshatarët tuaj nga vendbanimi Novo Sellë, nuk do mund të vijojnë mësimin në ambientet e shkollës, por edhe këtë fillim viti shkollor do e nisin në objekte private. Komuna e Bogovinës ka siguruar mjete për mirëmbajtje që edhe këta nxënës të kenë kushtet për të mësuar, por jemi të vetëdijshëm se as për së afërmi nuk u afrohen kushteve të një shkolle normale. Ju njoftojmë se Komuna e Bogovinës i ka plotësuar të gjitha kërkesat nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i ka dorëzuar që më datë 17.11.2017. Pas kësaj u njoftuam se ndërtimi i shkollës së Novo Sellës është paraparë për ndërtim në buxhetin e vitit 2018. Por, siç edhe vetë konstatoni kjo nuk ndodhi. Edhe njëherë kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që sa më shpejtë të fillojë me ndërtimin e shkollës në Novo Sellë, me qëllim që nxënësit të kenë mundësi që mësimin ta vijojnë në kushte normale. Ky nuk është reagimi i parë nga ana jonë ku kërkojmë nga kjo Ministri që këtë problem ta merr më se seriozisht, sepse këtu flasim për fëmijët tonë, fëmijët shqiptar të cilët meritojnë të jenë të trajtuar më së miri. Ne si komunë do të vazhdojmë të ndihmojmë procesin arsimor në Novo Sellë, por kaq janë mundësitë dhe kompetencat tona. Ju kujtojmë se kompetencat për ndërtimin e objekteve arsimore i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, ka shkruar Xhemaili.

Portalb.mk, mëson se në orët e pasdites ministri Ademi, bashkë me autoritetet komunale do të jetë për vizitë në Bogovinë për çështjen e shkollës.

Digjet në tërësi shkolla fillore në Novo Sellë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button