DUAM ARENË!

Arenë të sportit. E theksojmë këtë ngase termi arenë përveç kuptimit të parë, “shesh i rrumbullakët i shtruar butë në mes të një cirku, stadiumi a amfiteatri, ku zhvillohen lojna ose ndeshje”, të dytë, “vend apo skenë e një aktiviteti, debati”, ka edhe kuptimin e tretë: “fusha ku zhvillohet një përleshje, një luftim, amfiteatër për betejë të gladiatorëve ”, që ka konotacion negativ. Më drejt, ky shkrim i yni mund të përmblidhet në fjalinë apo hashtagun që u popullarizua këtyre ditëve në mediet sociale, “duam stadium”. Në Tetovë, e duam një vatër moderne të Shkëndijës; të kësaj storjeje të suksesit të sportit shqiptar, të kulturës sonë kompetitive në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Unë si qytetar dhe shumë tifozë lusim komeptentët që të na shpëtojnë nga misafirizmi sportiv europian i vazhdueshëm, nga të luajturit e lojërave në terren të huaj, nga garimi një lojë e gjysmë si mysafir. Duam atmosferë autentike në oborrin tonë, në fushën tonë, aty ku “na njeh dhe guri i thatë” i futbollit. Shqiptarët e Maqedonisë e meritojnë një stadium ku do të zbaviten, kënaqen me fitoret dhe shtimungun e krijuar para, në ndeshje dhe pas tyre, ku do të shkojmë fëmijë, të rinj e pleq, “fanatikë sporti” e gjysëm-tifozë, tifozë të çastit, shoqërues miqsh, njerëz kuriozë, ku do të ngrihemi e do të ulemi nga atraksionet e lojës, ku do të jemi vetëm disa metra larg aktorëve të teatrit futbollistik. Jo si në stadiumin e qytetit të Shkupit (Arena Filipi II). Ku distanca është e madhe mes dy palëve të eventit, futbollistëve dhe njerëzve të shkallareve. Duam një stadium ku “kundërshtari” do ta ndjejë në palcë presionin, fishkëllimat, këngët dhe gjithë koreografinë e krijuar enkas për minutat e “transit sportiv”.

Duam një stadium dinjitoz konform potencialeve tona ekonomike, ku nga ulëset deri te zhveshtoret do të vijë erë motivimi, pasioni, suksesi, ku edhe tjetri do të na lexojë ndryshe, si ekip me shtëpinë e vet. Provimi tanimë është dhënë, të rinjtë tanë kanë konfirmuar se dinë të luajnë, janë ndeshur me titanët europianë, kanë dhënë maksimumin, kanë derdhur djersën e tyre për t’i bërë të lumtur ndjekësit e ngjarjeve sportive, për të na afirmuar të gjithëve, për të na ngritur në pidesetalin e vlerave të kësaj natyre.

Për një moment ndaluni dhe imagjinoni skenën  e topit dhe dy futbollistët para penalltisë në ndeshjen kundër norvegjezëve (Rosenborgut) javën e kaluar. Tensionin psikologjik në shpatullat e lojtarëve. Me siguri ndryshe do të ishte në Tetovë. Së paku për 50%. Stadiumi i mbushur. Një identitet i Shkëndijës, siç është Anfieldi identitet i Liverpoolit, Camp Nou i Barcelonës, Bernabeu i Realit, Poljudi i Hajdukut… Jemi larg, do të kishte thënë shumëkushi. “Kanë traditë ata”. Po, e vërtetë. Jemi pas, por kjo nuk duhet të na dekurajojë. Sikur të kishim një stadium të mirëfilltë, njerëzit do kërkonin një biletë më tepër. Unë nga Shkupi, Shkodrani nga Gostivari, Agroni nga Tetova do të kishin “feshtë” atë ditë. Tre qytete në një vend, ndoshta edhe më tepër. Pika e mesit gjeografik. Me siguri s’do mungonin as Dibra, Struga, Kërçova, Kumanova, madje edhe vizitorë nga dy shtetet shqiptare.

Shkëndija e ka hak stadiumin e ri. S’ka futboll cilësor e perfomimit maksimal në terren që s’është yti; aty ku nuk frymon natyrshëm, në terren që s’ia di sekretet e 16-shit, ku s’të njohin fijet e kullosës, ku s’i shijon tërësisht vijat e bardha, këndet, ajrin, dritat, rrjetët, shkallët, telat; ku s’je në kontakt me fytyrat e tifozëve. S’je nikoqir aty ku nuk ndjehet 100 % jehona dhe presioni i zërit të tifozëve… ku njerëzit shkojnë e dalin me droje vallë mos do të ndodhë ndonjë incident ose me frikën se mos na i thyejnë xhamat e veturave.

Nuk themi se futbolli është bukë e ujë, as religjion, por ai vërtet është një nga gjërat më të rëndësishme dytësore të jetës, së paku për kohën në të cilën jetojmë. Është balet i masave (Shostakovich), ideologji më e fortë se çfarëdo izëm tjetër (Alan Brown). Mes tjerash, është edhe një kurë kundër devijimeve të kohës. Është një instrument i akronimit ASICS: anima sana in corpore sano (Shpirti i shëndoshë në trup të shëndoshë.) Stadiumi i ri do të krijonte një kulturë garuese rinore për t’u bërë pjesë e eskadronit sportiv, do të kishte efektin e hapjes së mini shkollave të futbollit gjithandej vendbanimeve shqiptare. Shumë të rinj do t’i largonte nga pashpresia, do t’i bënte pjesë të shpresës, të ëndrrës së 11-shit të parë, të lojërave me gjigantët europianë e më tej. Ky stadium do të kishte pra një ndikim socializues të pjesëve të brezave të rinj. Do kishte edhe impaktin ekonomik: do të gjallëronte hotelieria, turizmi, do të punësoheshin qindra e më tepër njerëz në stadium dhe nëpër lokale përreth tij, do shiteshin rekuizite, flamuj, kapela, çikërrima që asocojnë klubin.

We have a dream. Kemi një ëndërr. Stadium për njëzet-njëze e pesëmijë veta. Korin racional/moral dhe sinfoninë e stadiumit të Shkëndijës (që do të shfrytëzohej edhe nga klube të tjera, si rasti i San Siros). Shpresojmë që kjo të nismë  apo gjimnastikë mendore, fjalësore dhe mediale të bëhet realitet. Ta shohim godinën nga larg, t’i afrohemi dhe të shijojmë gjelbërinë e tij, pamjen impresionuese të kompleksit madhështor, që do te jëtë markë e brend, përfaqësues kolektiv i të gjithë neve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button