Topi rikthehet në politikë, bashkohet me FRD

Pak ditë pasi i dorëzoi zotit Bujar Nishanit postin e kryetarit të shtetit, ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot takimin e parë zyrtar me grupin nismëtar të Frymës së Re Demokratike, të cilin e konsideroi si hapin e parë të rikthimit të tij në politikë.

Në një deklaratë për mediat pas takimit, të zhvilluar në hotel “Tirana International”, ish-presidenti Topi theksoi se në fund të këtij muaji do të realizojë hapin përfundimtar të rikthimit të tij në politikë, kur do të përcaktohet edhe roli e tij në FRD.

“Jam i bindur tashmë se takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD-së, një forcë e re politikë që në vizionin politik e ka bërë të qartë që do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare.”- u shpreh Topi

Në lidhje me pozicionin e tij në FRD, ish-Presidenti i Republikës nuk dha detaje nëse i është ofruar posti i drejtuesit të kësaj partie, duke pranuar se ai kthehet në politikë si misionar. “Nuk e lidh këtë me një pozicion të caktuar, kjo do t’i takojë të ardhmes. Rotacioni vjen nëpërmjet votës së popullit”, shtoi ai.

I pyetur për mundësinë që FRD të krijojë aleanca me partitë e mëdha në zgjedhjet e ardhshme, Topi mbështeti deklaratat e mëparshme të FRD-së se do të pranojë aleancë vetëm me qytetarët, transmeton BW.

“Sot flas nga një pozicion personal se kur të zyrtarizohet pjesëmarrja ime do jemi të kujdesshëm që vendimet të jenë të partisë. Unë shkoj në sintoni me Oketën, aleanca vetëm me qytetarin dhe jo me atë psikologji dhe atë politikë që konsiderohen parti të vjetra”- vijoi më tej Topi.

Nga ana e tij, nismëtari i FRD-së Gazmend Oketa theksoi menjëherë pas takimit se “eksperienca e ish-presidentit Topi, si një nga politikanët më të sofistikuar, do të jetë një vlerë e shtuar dhe e mirëpritur në FRD”.

Fryma e Re Demokratike, është një parti e re e spektrit të djathtë, që do të konkurrojë për herë të parë në zgjedhje vitin e ardhshëm. Nismëtarët e FRD-së janë: Gazmend Oketa politikan e deputet, Aleksandër Biberaj ish-deputet i PD-së, Ardian Tufina, ish-pjesëtar i lartë i forumeve drejtuese të Partisë Demokratike që në fillim të ndryshimeve pluraliste në Shqipëri, Andi Seferi drejtues i organizatës San Egidio në Shqipëri, Astrit Hoxha biznesmen i njohur, Alfred Cako përkthyes, Belma Muka biznesmene, Edlira Abazi pedagoge e juriste, Edlira Gjoni analiste, Edmond Dragoti psikolog dhe Stavri Ristani ish-zëvendësministër i Transporteve.

Në grupin nismëtar janë lakuar shpesh në shtyp edhe emra të tjerë, por ligjërisht, bazuar edhe në dokumentin e dorëzuar në Gjykatë, janë vetëm emrat e lartpërmendur.

Lajme të ngjashme

Back to top button