HEEEEJ, NE PO SHUHEMI!

A ju kujtohet Ivan Stamboliqi, i cili në vitet e 80-ta, kur u vampirizua fashizmi serb dhe kur po jepte frymën e fundit Jugosllavia titiste, angazhohej për suspendimin e autonomisë së Kosovës. Këtë akt vdekjeprurës për Kosovën ai deshi ta bëjë në marrëveshje me republikat tjera jugosllave, duke pasur gjithnjë në krah vartësin e tij të besueshëm Sllobodan Millosheviqin, të cilin, më 24 prill të vitit 1987 e dërgoi në Kosovë gjoja për të zbutur padurueshmërinë ndërmjet shqiptarëve ujqë dhe serbëve qengja. Kasapi e shfrytëzoi këtë rast dhe me deklaratën e famshme: Askush nuk guxon të rrahë serbët!, u bë mbreti i pakontestueshëm i serbëve të Kosovës dhe jo vetëm.

Nga kjo ditë Millosheviqi i iku duarsh mësuesit dhe kumbarës së tij Stamboliqit, me të cilin e ndante vetëm taktika e kthimit të Kosovës nën Serbi, përkatësisht vetëm mënyra e shpërnguljes së plotë të shqiptarëve nga viset e të parëve të tyre.

Sipas medieve të asokohshme, Stamboliqi nuk e pëlqente dhunën e hapur të Millosheviqit ndaj shqiptarëve, që nisi ta prishë imazhin serb dhe ta nxisë simpatinë e botës ndaj rezistencës shqiptare. Stamboliqi e dinte se shpërngulja e përnjëhershme e shqiptarëve për shkak të dhunës transparente millosheviqiane do t’i hakmerret Serbisë, ndaj realizimin e planeve për një Kosovë pa shqiptarë, ose me një numër të papërfillshëm të tyre, të nisur së fundmi pas demonstratave të njohura studentore të vitit 1981, deshi ta kurorëzojë nëpërmjet përndjekjeve dhe dhunës permanente ndaj veprimtarëve dhe intelektualëve – diferencimeve, largimeve nga puna, varfërimit dhe rrezikimit të ekzistencës dhe jetës së shqiptarëve, që i detyronte ata të shpërngulen gradualisht, pa shkaktuar bujë mediale dhe pa trazuar vëmendjen e botës, e cila asokohe e vlerësonte lart liberalizmin e gënjeshtërt jugosllav dhe gati nuk dinte asgjë për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit amë. Një shpërngulje e tillë, mendonte Stamboliqi, sigurisht që do të zgjaste më shumë se pogromet e përshpejtuara të kasapit të Ballkanit, por do të realizonte në mënyrë shumë më të paqtë elaboratat gjenocidiste ndaj shqiptarëve, pa njollosur fare “shpirtin human e demokrat serb”.

Stamboliqi, pasi e ndihmoi brutin e tij monstrum të ngritet në pushtet, e përjetoi fatin cezarian. Në vitin 2000 policia speciale e Millosheviqit, për shkak të luftës për pushtet…, e kidnapoi, e vrau si qen dhe ia dogji kufomën në një gropë me gëlqere (sipas disave: e murosi të gjallë në këmbën e një ureje).

Për lexuesit që në vitet e 80-ta kanë qenë të vegjël ose të palindur akoma, po e sqaroj se, pas demonstratave studentore të vitit 1981 në Kosovë, nisi dhe nëpërkëmbja e qenies dhe shpirtit shqiptar në Maqedoninë e shndërruar në poligon serb…

Por ta lëmë me kaq historinë dhe të kthehemi te shpërngulja aktuale e të rinjëve tanë, te shprazja e frikshme dhe e shpejtë e vendbanimeve shqiptare në Maqedoni, te shuarja e etnisë sonë fatkeqe me këste kaq të papritshme, të njëjtë për nga pasojat me shpërnguljet e periudhave të mëhershme, me të cilat e nisa këtë shkrim.

Situata  është alarmante dhe askush më nuk guxon të mbyll sytë para kësaj tragjedie kombëtare. Qytetet shqiptare po mbeten pa të rinj dhe pa të ardhme. Fshatra të tëra gati janë boshatisur dhe kanë mbetur vetëm me pak pleq, me ata që nuk kanë nga t’ia mbajnë. Shkollat që para pak vitesh kishin me qindra, tani kanë mbetur me disa nxënës, në shumë vende janë mbyllur dhe po mbyllen përsijeta. Lagjet që gumëzhinin nga zëret dhe lojërat e fëmijëve tani janë të qeta si varret. Vendbanimet malore janë në grahmat e fundit të jetës. Ato të fushës plot me shtëpi të reja luksoze, por me dritare të mbyllura me roletne, me oxhaqe që nuk timojnë më, me rrugina të mbuluara me barishte… Të gjitha janë shtëpi të ndërtuara jo për të jetuar më në to, po për të shuar mallin e të ikurve përgjithmonë nga vatrat stërgjyshore, për të mbajtur edhe për një kohë gjallë shpresën që vdes e fundit.

Tani më edhe nëpër viset e njohura deri dje si më të populluarat në Ballkan, si puna e Pollogut, nuk mund të gjesh asnjë shkollë ku numri i nxënësve të klasës së nëntë nuk është 2-3 herë më i madh se ai i nxënësve të klasës së parë. Për pasojë po zvogëlohet dita më ditë edhe numri  i nxënësve në shkollat e mesme dhe i studentëve nëpër auditoret universitare, ku dominojnë vajzat, sepse djemtë shtegëtojnë pak më herët se ato…

Më e keqja është se askush nuk ndërmerr asgjë për ta ndalur këtë ekzod masiv dhe të dhimbshëm. Më tragjikja është se të rinjtë e kanë humbur besimin në gjithçka dhe në gjithkë. Ikin njësoj, si ata që nuk kanë gjetur një vend pune, si ata që janë sistemuar diku me pagë mizerje, që në kushtet e sotme u siguron vetëm shkopin e lypsarit. Ata e kanë humbur shpresën për të nesërmen dhe shpëtimin e shohin në braktisjen e pakusht të këtij vendi.

Nuk ka asnjë dyshim se depresionin dhe frymën fataliste të tyre e ushqen jeta luksoze, pallatet mbretërore, vilat aristokrate bregdeteve dhe bjeshkëve atraktive, foristradat e shtrenjta të hajdutëve dhe matrapazëve shqipfolës, që 30 vitet e fundit ushtruan apo ushtrojnë detyra të rëndësishme, po, në vend të përpjekjeve për të bërë diçka për të mirën e përgjithshme, u bënë hajna dhe të vetmit mirëqenia e të cilëve grafllon gjithanshëm, u bënë vrasësit e të ardhmes sonë në atdheun e vetëm që krijoi Hyji për ne.

Ka dikush që mund ta shpjegojë jetën luksoze dhe kapitalet marramendëse të shumë skamnorëve të deridjeshm, që me një copë të vetme pastërmaje zienin dy-tri herë vorbën e fasules? Sigurisht jo. Prandaj, nuk ka më vend për pallavra. Politikanët shqiptarë, ata që e konsiderojnë veten të paqtë dhe të papërlyer, duhet të ngriten të parët për të kërkuar llogari prej hajdutëve të pacipë, t’ua sekuestrojnë pasuritë e vjedhura dhe t’i investojë ato për të mirën e të gjithëve. Ndryshe të gjithë do të përfundojnë në kamaren e turpit dhe do të jenë përgjegjës për shpërnguljen e shqiptarëve nga viset tona aq parajësore që na i lanë të parët.

Dikush mund të thotë se ikin edhe shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës…, po rasti ynë është shumëfish më tragjik, sepse kur ikin të rinjtë e Tropojës (fjala vjen), Tropoja mbetet sërish Shqipëri, ashtu siç mbetet Berova Maqedoni kur shpërngulen të rinjtë e saj, kurse kur shpërngulemi ne prej Dibre, Srtruge, Kërçove, Gostivari, Tetove, Shkupi, Kumanove… është ndryshe dhe “ndryshen” mund ta shomih më qartë në Manastirin, Ohrin dhe Prespën e sotme…

Prandaj, sa nuk është tepër vonë, të bëjmë diçka që kapërcen përtej filozofisë sonë fataliste: Bane Zot andërr!, që na duket e mjaftueshme dhe që na e ofron komoditetin e ndërrimit të krahut të gjumit kronik, aq të ngjashëm me shuarjen tonë të përfundme nga këto troje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Te lumte Fatmir,
    Mbetesh perhere aktuale bre djale, po kete katrahure veshtire se mundet kush me e ndale…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button