Macron: BE të modernizojë marrëdhëniet

Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Bashkimit Evropian të modernizojë marrëdhëniet e pas Luftës së Ftohtë me Rusinë dhe të përpiqet për “marrëdhënie strategjike” me Turqinë si dhe me fqinjë të tjerë të afërt, përfshirë në çështjet e mbrojtjes.

Zoti Macron është shprehur me forcë për rritjen e aftësive të Evropës për të mbrojtur interesat e saj strategjike dhe për të theksuar pavarësinë e saj financiare si reagim ndaj situatës së re ekonomike globale dhe të sigurisë të krijuar si pasojë e presidencës Trump në Shtetet e Bashkuara, transmeton TCH.

Udhëheqësi francez tha se Evropa prej kohësh është mbështetur tek SHBA për mbrojtjen e saj dhe ndërsa NATO-ja mbetet e rëndësishme, Bashkimi Evropian duhej të rrisë aftësitë e veta të mbrojtjes.

Në një konferencë shtypi gjatë një vizitë në Helsinki, zoti Macron tha: “Është në interesin tonë që BE-ja të ketë një marrëdhënie strategjike me Turqinë, si dhe me Rusinë, një marrëdhënie që sjell stabilitet, dhe që, në vështrimin afatgjatë sjell më shumë fuqi dhe koherencë”.

Që kur u zgjodh president në maj vitin e kaluar, zoti Macron është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet me presidentin rus Vladimir Putin. Këto përpjekje janë ndërlikuar nga pasojat e aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, roli i saj në rebelimin pro-Moskë në Ukrainën lindore, mbështetja për udhëheqësin sirian Bashar al-Assad dhe akuzat për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button