Macron: Mbetja e Asadit në pushtet, skenar i tmerrshëm

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se mbetja e Asadit në pushtet do të ishte një “skenar i tmerrshëm”, dhe shtoi se vendi i tij është i gatshëm për një operacion ushtarak në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Macron në pallatin presidencial të Francës, Elysee, iu drejtua ambasadorëve të shtetit të tij të cilët u mblodhën për konferencën vjetore.

Ai tha se ndihmën humanitare dhe ushtarake në Siri nuk e shohin si një parakusht për përmbysjen e Asadit. “Ky do të ishte një skenar i tmerrshëm. Kush shkaktoi emigrimin e miliona personave? Kush e masakroi popullin e vet? Përcaktimi i drejtuesve të ardhshëm të Sirisë, ashtu siç nuk është detyrë e një shteti tjetër, nuk është as ajo e Francës. Por, është detyrë dhe interes i yni të sigurojmë që populli i Sirisë të mund të bëjë një gjë të tillë”, tha Macron.

Presidenti francez tha se Franca është e gatshme për një operacion ushtarak në rast të përdorimit të armëve kimike.

Sipas tij, regjimi i Asadit kërcënon me një tragjedi të re njerëzore në Idlib. “Regjimi nuk ka treguar asnjë qëllim të vogël për tranzicion politik. Kjo sjellë nevojën që regjimi dhe palët e tij të mbahen nën presion përsëri. Për këtë çështje, në kuadër të zotimeve, pres shumë gjëra nga Rusia dhe Turqia”, tha ai.

Macron po ashtu thekson se është i qartë qëndrimi i tyre në lidhje me krizën në Siri, duke shtuar se ky është luftimi i DEASH-it dhe grupeve terroriste të cilët e kërcënojnë sigurinë e Evropës, një mbështetje gjithëpërfshirëse për civilët si dhe bashkëpunimi me Kombet e Bashkuara (OKB) për një zgjidhje politike.

Ai vuri në dukje se Bashkimi Evropian (BE) ka shënuar zhvillime të rëndësishme gjatë periudhës së fundit, sidomos në çështjet e sigurisë. “Evropa tanimë nuk duhet të jetë e varur vetëm nga SHBA-të në fushën e sigurisë. Sot është detyrë e jona që të marrim përgjegjësi për ofrimin e sigurisë dhe pavarësisë së Evropës”, theksoi Macron.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button