Indicie për keqpërdorime gjatë rikonstruimit: Çfarë po ndodh me Teatrin Shqiptar të Shkupit? (FOTO)

Pas indicieve për keqpërdorime gjatë realizimit të punëve rikontruuese, Ministria e Kulturës ka nisur kontroll të brendshëm në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Teatri Shqiptar i Shkupit në mënyrë indirekte i hodhi poshtë këto dyshime, ndërkohë që grupi punues realizues i kontrollit duke sqaruar ecurinë e kontrollit, nuk deshën të komentojnë për kallëzimet penale eventuale, shkruan Portalb.mk.

Asaf Ademi

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi njoftoi se ka nisur revizioni për kontroll të punimeve për rikonstruimin e Teatrit Shqiptar të Shkupit, i udhëhequr nga Sllagjana Taseva dhe që duhet të përfundojë për 45 ditë.

“Është formuar grup pune për përpilimin e analizës për realizimin dhe tejkalimin e pasojave nga rikonstruksioni i objektit Teatri Shqiptar – Shkup, në krye me Sllagjana Taseva si koordinatore dhe Fidan Daskalov – anëtar”, kështu njoftoi ministri i Kulturës, Asaf Ademi.

Drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga sqaroi se bëhet fjalë për kontroll të Ministrisë së Kulturës, dhe si institucion, për grupin punues të kontrollit kanë vënë në dispozicion tërë dokumentacionin.

“Fillimisht të sqaroj që nuk bëhet fjalë për revizion. Në bazë të ligjit organe kompetente për të kryer revizion të Teatrit janë Enti Shtetëror i Revizionit dhe njësia e revizionit të brendshëm e Ministrisë së Kulturës. Procedura që aktualisht po zhvillohet është kontroll i dokumentacionit nga ana e një grupi pune të formuar nga Ministri. Ashtu si që jemi shprehur edhe më herët: me qëllim të transparencës sa më të madhe para opinionit, tërë dokumentacionin e projektit të rikonstruimit të Teatrit e kemi vënë në dispozicion të këtij grupi pune dhe vazhdojmë të jemi të hapur për çfarëdo revizioni apo kontrolli”, tha për Portalb.mk, Karaga.

Sllagjana Taseva, Transparencë Maqedoni
Sllagjana Taseva

Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit që realizon kontrollin e brendshëm të Ministrisë së Kulturës në Teatrin Shqiptar të Shkupit, Sllagjana Taseva sqaroi se ecuria e punës është e njëjta sikurse me kontrollin që është realizuar në Komunën Qendër për projektin “Shkupi 2014”. Në fund do të përpilohet raport i gjetjeve nga kontrolli, dhe i njëjti i dorëzohet Ministrisë së Kulturës.

“Ne jemi i njëjti grup që kemi realizuar revizionin e projektit “Shkupi 2014” në Komunën Qendër. Atje kemi kryer kontroll të brendshëm në dokumentacionin e marrëveshjeve tenderuese, të miratuara gjatë periudhës së realizimit të projektit, dhe pas asaj ne kemi publikuar raportin e kontrollit. Njëjtë do të veprojmë edhe me Teatrin Shqiptat të Shkupit, do të kontrollojmë dokumentet e marrëveshjeve të arritura gjatë periudhës sa zgjatë rikonstruimi”, sqaroi Taseva.

Indicie për keqpëdorime në Teatrin Shqiptar të Shkupit

Ministria e Kulturës e Maqedonisë ka deklaruar se, shkak i kontrollit janë indiciet për keqpërdorime.

“Ka indice për keqpërdorime dhe procedura tenderuese joadekuate, të cilat do të konfirmohen ose do të hidhen poshtë pas revizionit të kryer për procedurën rreth rikonstruktimit të ndërtesës së Teatrit Shqiptar”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Adem Karaga

Nga ana tjetër, drejtori i Teatrit, Adem Karaga, duke vlerësuar se institucioni që udhëhiqet nga ai, gjatë realizimit të punimeve për rikonstruimin e Teatrit ka vepruar në bazë të ligjit dhe me rekomandime nga Ministria e Kulturës dhe organet tjera kompetente, në mënyrë indirekte i hodhi poshtë dyshimet për keqpërdorime.

“Të gjitha procedurat dhe veprimet e mara gjatë rikonstruimit të Teatrit janë bërë konform rregullativës pozitive ligjore, mbështetur madje me vendime, mendime dhe rekomandime nga ministri dhe organe të tjera kompetente përkatëse, në komunikim të theksuar me Ministrinë e kulturës”, tha për Portalb.mk, Karaga.

Ndërkaq Taseva deklaroi se është herët të flitet për parregullsi, dhe veprimet që do të ndërmerren nëse hetohet se është bërë shkelje e ligjit për tenderim.

“Nuk i kemi kontrolluar dokumentet. Nuk mund të flasim për parregullsi tash për tash, dhe as për atë se a mund të pritet kallëzim penal nëse zbulohet parregullsi në punën e Teatrit. Gjithçka pas raportit tonë, është punë e Ministrisë”, sqaroi Sllagjana Taseva.

Televizioni Alsat-m në muajin janar informoi për aneksin e fundit që Teatri Shqiptar kishte arritur me kompaninë italiane “Shencia” në vlerë prej thuajse 1 milion euro, ku u pa se si dy kompanitë italiane “Lamone Moreda” dhe “Shencia” janë lidhura mes vete dhe se kjo e dyta kishte blerë filialin e “Lamone Moreda” në Maqedoni, edhe pse nuk u kuptua se kush është pronari i vërtetë i “Shencias”.

Këto lajme nga Teatri Shqiptar i Shkupit u cilësuan si tendencioze.

“Me keqardhje po shfrytëzoj faqen e Teatrit për të reaguar ndaj informacionit tendencioz të radhës, fillimisht, publikuar nga televizioni Alsat M, marrë dhe eksagjëruar edhe nga media të tjera. Nuk është hera e parë që Alsat M publikon lajm mbi Teatrin pa marrë prononcim nga vet ai dhe me këtë thyen një nga parimet kryesore të profesionit të vet”, reagoi më 19 janar Teatri Shqiptar i Shkupit.

Përfundimi ende në pritje

“Pritet realizimi të përfundojë deri kah mesi i muajit tetor të vitit 2018. Punët për rikonstruktimin e objektit që e shfrytëzon Teatri Shqiptar – Shkup, në pajtim me aneks marrëveshjen e fundit që ky institucion e ka lidhur me kryerësin e punëve, duhet të përfundojnë deri më 31.10.2018”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Megjithatë, sipas ministrit të Kulturës, Asaf Ademi kjo datë do të shtyhet, për shkak të vonesave në punimeve.

“Do të shtroj darkë nëse punimet e teatrit përfundojnë më 31 tetor”, pati thënë më 2 korrik ministri Ademi.

Me buxhetin shtetëror të vitit 2018, për përfundim të rikonstruimit e Teatrit Shqiptar të Shkupit që zgjati 4 vjet, u parapanë 250 milion denarë.

LEXO: Rindërtimi i teatrit të Shkupit, deri në 31 tetor
LEXO: Rikonstruksioni i Teatrit Shqiptar në Shkup assesi të merr të mbarën!
LEXO: Assesi të përfundojnë punimet në Teatrin Shqiptar
LEXO: Shtyhet data e përfundimit të rikonstruktimit të Teatrit Kombëtar Shqiptar
LEXO: Mjetet financiare për teatrin shqiptarë, si pikë uji në det!
LEXO: Shkup, vetëm 8 milionë euro për rikonstruimin e Teatrit Kombëtar Shqiptar

Kur do të jetë gati objekti i Teatrit Shqiptar në Shkup dhe Tetovë? Përgjigjet Valmir Aziri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button