Aleanca për Shqiptarët do ta mbështesë referendumin, por kërkon marrëveshje shqiptare-maqedonase

Partia opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët do ta mbështesë referendumin që do të mbahet më 30 shtator, por kërkon që faktori politik shqiptarë dhe maqedonas të nënshkruajnë marrëveshje brendashtetërore që të arrihet barazia etnike dhe në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të futet gjuha shqipe si zyrtare, transmeton Portalb.mk. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela pjesëtarët e BDI-së i ka quajtur “kukulla” dhe i ka kritikuar për mospërfshirje të gjuhës shqipe në marrëveshjen me Greqinë.

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Në Kuvendin Qendor të Aleancës për Shqiptarët që u mbajt sot në Shkup është nënshkruar një deklaratë në të cilën thuhet se kjo parti do të mbështes referendumin me qëllim që Maqedonia të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Kuvendi Qendror i ASH-së ka nënshkruar një deklaratë e cila do t’ju shpërndahet mediave dhe opinionit. Do të dalë një non-peper që do t’ju drejtohet forcave vendosëse aleate, popujve që kanë jetuar, që jetojnë dhe që do të vazhdojnë të jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Vendimi i Kuvendit Qendror të ASH-së është se do të mbështesë referendumin për anëtarësim të vendit në NATO dhe BE”, deklaroi lideri i ASH-së, Ziadin Sela.

Lideri Sela ka përsëritur vërejtjet e tija për marrëveshjen me Greqinë, duke i quajtur aktorët shqiptarë të përpilimit të saj si “kukulla”.

Sela ka thënë se meqë gjuha shqipe nuk ishte pjesë e marrëveshjes me Greqinë, partia e tij do të insistojë që ajo të zyrtarizohet në kuadër të ndryshimeve kushtetuese që duhet të ndodhin në Maqedoni pas shpalljes së marrëveshjes me Greqinë në Gazetën Zyrtare.

“Pala maqedonase ka pasur të drejtë të flasë për gjuhën dhe identitetin e tyre, por edhe për rregullimin shtetëror. Ne i përshëndesim marrëveshjet që Qeveria i ka arritur me Bullgarinë, me vërejtjet që i kemi edhe me Greqinë, por qeverisë i mungon edhe një marrëveshje shumë më e rëndësishme, dhe kjo është marrëveshja e brendshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarët dhe maqedonasit. Në kuadër të frymës proevropiane, ftojmë aktorët politikë shqiptarë dhe maqedonas, që të ulemi dhe të sjellim edhe këtë marrëveshje. Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, ASH-ja do të intervenojë dhe do të insistojë fuqishëm, në mënyrë që të ketë barazi qytetare në Maqedoni, pa pasur njëra më shumë sovranitet, se tjetra me qëllim të ndërtimit të shtetit të së drejtës”, ka deklaruar Sela.

Sela ka paralajmëruar se në kohën kur do të hapet Kushtetuta e Maqedonisë, për t’ju nënshtruar ndryshimeve që parashihen me marrëveshjen me Greqinë, ASH-ja do ta ftojë tryezën e partive shqiptare që të marrin një qëndrim unik për gjuhën shqipe.

“Tryeza është dashur të ftohet nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, por meqë ai nuk e bëri atë, ne si ASH, kur të hapet Kushtetuta do ta ftojmë tryezën me qëllim që të formohet një qëndrim unik i subjekteve politike rreth ndryshimeve kushtetuese”, tha Sela.

Ndërkombëtarët përkrahin referendumin, VMRO-ja pa prononcim

Nga ana tjetër, në lidhje me referendumin që do të mbahet më 30 shtator, janë deklaruar edhe Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, por jo edhe opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE. Faktori ndërkombëtar pret miratim të referendumit me qëllim të hapjes së rrugës për anëtarësim në NATO dhe BE.

LEXO: Mickoski: Qëndrimi për referendum ende nuk është përcaktuar
LEXO: Zhbogar për referendumin: Populli do t’i përjetojë pasojat e vendimeve
LEXO: Zaev-Merkel: Referendumi është shprehje e përcaktimit për ardhmërinë
LEXO: Për BE-në dhe SHBA-në referendumi është zgjedhje mes së ardhmes dhe izolimit

Ndryshe, për referendumin janë paraparë të shpenzohen 80 milionë e 400 mijë denarë. 80 milionë nga buxheti shtetëror do t’i harxhojë Kuvendi i Maqedonisë si realizues i fushatës, kurse 400 mijë denarë Qeveria e Maqedonisë nga buxheti i Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë dhe atë për fushatë informative në rrjete sociale.

OJQ-të me vëzhgues në terren do të edukojnë votuesit, shqiptarët vendimtar për suksesin e referendumit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button